Besnik Tahiri i drejtohet Kurtit: Kabineti yt ka përmasa të një shteti si Kina, jo të Kosovës

01:25 | 12 Shkurt 2026
besnik-tahiri-i-drejtohet-kurtit:-kabineti-yt-ka-permasa-te-nje-shteti-si-kina,-jo-te-kosoves

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri  ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit dhe përbërjes së kabinetit të ri qeveritar, duke e cilësuar atë si të tejdimensionuar për një vend si Kosova, shkruan Gazeta 10.

Në fjalën e tij në Kuvend, Tahiri tha se kryeministri duhet të kujtojë zotimet e dhëna në momentin e marrjes së mandatit, veçanërisht sa i përket numrit të ministrive. Sipas tij, kabineti aktual ka përmasa që i ngjajnë një shteti shumë më të madh, e jo Kosovës me rreth 1.7 milionë banorë.

“Ky kabinet qeveritar nuk është asgjë tjetër përveç akomodim i një pushteti të marrë në mënyrë demokratike, por me synim të qartë partiak, për të shtyrë një agjendë puro partiake dhe politike,” deklaroi Tahiri.

Ai theksoi se në këtë seancë nuk kishte përgatitur një fjalim të gjatë, pasi ishte aty në emër të grupit parlamentar për të reflektuar mbi programin, vizionin dhe idetë e kryeministrit për qeverisjen e vendit. Megjithatë, ai paralajmëroi se do të adresojë shtatë pika që, sipas tij, janë shqetësuese dhe të habitshme për qytetarët e Kosovës.

Në emër të grupit parlamentar të AAK-së, Tahiri u zotua se do të mbështesin çdo projekt apo nismë që vlerësohet si e mirë për vendin, pavarësisht nëse votat e tyre janë të nevojshme apo jo për kalimin e tyre në Kuvend.

“Do të jemi këtu për t’u ballafaquar me ju në çdo çështje që mendojmë se nuk është e drejtë, që është kundër qytetarëve të Kosovës dhe kundër interesit publik, apo që është në funksion të fuqisë suaj politike,” tha ai.

Tahiri gjithashtu rikujtoi se vendi ka kaluar një vit bllokadë, e cila, sipas tij, i ka kushtuar Kosovës qindra miliona euro humbje, ka rritur apatinë në shoqëri dhe ka ndikuar në rritjen e emigrimit të qytetarëve./Gazeta 10

Komento: