
Avokati Rodney Dixon i cili përfaqëson Kadri Veselin, gjatë deklaratës së tij përmbyllëse ka thënë se viktimat e dinë shumë mirë se padrejtësia më e keqe është drejtësia e pretenduar.
“Viktimat e dinë shumë mirë se padrejtësia më e keqe është drejtësia e pretenduar apo false”, tha ai.
Ai tha se koha nuk i shëron plagët, por që pamundësia për të arritur drejtësinë vetëm e përkeqëson dhimbjen, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Koha nuk i shëron të gjitha plagët dhe kjo vlen për të gjitha konfliktet. Pamundësia për të arritur drejtësinë vetëm e përkeqëson këtë dhimbje dhe këtë vuajtje dhe ky dështim bëhet më keq kur bëhet fjalë për mashtrim nga sistemi i drejtësisë. Viktimat siç tha zoti Laws kanë nevojë për drejtësi të bazuar në të vërtetën dhe në realitetin”, tha Dixon.
Ai tha se duhet të mbrohen të pafajshmit dhe se gjykatat duhet të jenë me integritet.
“Në synimin për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë që është e domosdoshme dhe nuk është një opsion, duhet të mos sakrifikohet e vërteta. Duhet të mbrohet të pafajshmit dhe gjykatat tona duhet të jenë me integritet”, tha avokati.