Ndalohen për 48 orë shtatë kryesues të vendvotimeve në Klinë

16:40 | 12 Shkurt 2026
ndalohen-per-48-ore-shtate-kryesues-te-vendvotimeve-ne-kline

Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se janë ndaluar për 48 orë shtatë kryesues të vendvotimeve në komunën e Klinës, në kuadër të hetimeve që lidhen me procesin e numërimit të votave.

Sipas komunikatës së përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës, pas autorizimeve të dhëna për Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës, janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve komisionerë dhe kryesues të vendvotimeve.

Pas përfundimit të intervistimeve, me urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është marrë vendim për ndalimin 48-orësh të shtatë kryesuesve të vendvotimeve.  Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë në gjykatën kompetente për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë penale.

Në komunikatë theksohet se Prokuroria Themelore në Pejë, në koordinim me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar për ruajtjen e integritetit të votës së lirë të qytetarëve dhe ndjekjen e të gjithë personave që dyshohen për përgjegjësi penale, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës./Telegrafi/

Komento: