Tym në objektin e AKP-së në Prishtinë, intervenojnë zjarrfikësit

13:15 | 15 Shkurt 2026

Një incident zjarri ka ndodhur në një objekt në Prishtinë. Ngjarja ka filluar që nga mbrëmë në rrugën “Dritan Hoxha”, në vendin ku aktualisht ndodhet Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Lidhur me rastin, detaje ka dhënë Abdulsamed Shkodra, zëvendëskomandant i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës.

“Është duke dalë tym nga objekti, por njerëzit nuk rrezikohen. Ende nuk kemi arritur të hyjmë saktësisht brenda objektit ku dyshohet se po del tymi, pasi kjo pjesë është bodrum dhe ka qasje të vështirë, me kthesa që e bëjnë të ngjashme me një labirint. Ende nuk dimë saktësisht se çfarë e ka shkaktuar zjarrin,” tha Shkodra.

“Por, sipas informacioneve të para që kemi, dyshohet se mund të jenë djegur disa mbeturina ose pjesë të arkivit apo dokumentacionit të paraluftës, por këtë ende nuk e dimë. Kur të hyjmë në vendin e ngjarjes, do të shohim saktësisht se çfarë ka ndodhur,” deklaroi ai.

Rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia e kryeqytetit. Zëdhënësi Enis Pllana, deklaroi se nga ky rast nuk ka ndonjë person të lënduar.

Komento: