Tym në objektin e AKP’së, intervenojnë zjarrfikësit

18:20 | 15 Shkurt 2026
tym-ne-objektin-e-akp’se,-intervenojne-zjarrfikesit

Një incident zjarri ka ndodhur në objektin e Agjencisë Kosovare të Privativizmit në rrugën “Dritan Hoxha” në Prishtinë. Incidenti dyshohet të ketë ndodhur që nga mbrëmë.

Lidhur me rastin është deklaruar Abdulsamed Shkodra, zëvendëskomandant i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës.

Është duke dalë tym nga objekti, por njerëzit nuk rrezikohen. Ende nuk kemi arritur të hyjmë saktësisht brenda objektit ku dyshohet se po del tymi, pasi kjo pjesë është bodrum dhe ka qasje të vështirë, me kthesa që e bëjnë të ngjashme me një labirint. Ende nuk dimë saktësisht se çfarë e ka shkaktuar zjarrin”, ka deklaruar Shkodra.

Por, sipas informacioneve të para që kemi, dyshohet se mund të jenë djegur disa mbeturina ose pjesë të arkivit apo dokumentacionit të paraluftës, por këtë ende nuk e dimë. Kur të hyjmë në vendin e ngjarjes, do të shohim saktësisht se çfarë ka ndodhur”, tha ndër të tjera ai.

Rastin për Insajderi e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për Kryeqytetin, Enis Pllana.

Pllana shkurtimisht për mediumin ka bërë të ditur se nuk është raportuar ndonjë i lënduar si pasojë e incidentit të zjarrit.

Si shkak i këtij zjarri mund të rrezikohen edhe dokumente që ndikojnë në procese gjyqësore për kontest pronash, të cilat gjenden në objektin e AKP’së.

Komento: