
Në ditën e fundit të Konferencës së Sigurisë në Mynih, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim bilateral me ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë, Espen Barth Eide.
Siç njofton Kryeministria, gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë, për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar që krijon marrëveshja EFTA, dhe fusha tjera me interes të përbashkët, transmeton Klankosova.tv.
Në takim, thuhet se u veçua sektori i ekonomisë, teknologjisë, energjisë, minierave dhe mineraleve dhe infrastrukturës.
Kurti, po ashtu ka theksuar planet dhe projektet e mëdha kapitale të qeverisë gjatë këtij mandati të ri në infrastrukturë kritike, sportit dhe transportit, të cilat njëherësh paraqesin edhe mundësi për investitorë të huaj.
“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për miqësinë, kontributin dhe mbështetjen e Norvegjisë ndaj Kosovës dhe mbështetjen e Norvegjisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, shkruhet në njoftimin e ZKM-së./