Plas pas Inter-Juve, Spalletti dhe drejtuesit e Juves sulmuan gjyqtarët

18:58 | 15 Shkurt 2026

Kryesorët e Juventusit, pra presidenti, drejtori dhe trajneri i janë vërsulur gjyqtarit kryesor menjëherë pas humbjes nga Interi.

Interi e fitoi derbin italian kundër “Zonjës së Vjetër” me rezultat 3-2, por në këtë sfidë kishte polemika të mëdha shkaku i disa vendimeve të gjyqtarit, sidomos ai kartoni i kuq i Pierre Kalulu.

Kësisoj, ka pasur telashe menjëherë pas ndeshjes, ku trajneri Luciano Spalletti, drejtori Giorgio Chiellini si dhe presidenti Damien Comolli e kanë sulmuar verbalisht gjyqtarin.

Në një video të publikuara në rrjetet sociale, shihen të tre duke pasur përplasje verbale me gjyqtarin, ndërsa një pjesë e stafit i largonte drejt tunelit në mënyrë që të mos ketë kontakt fizik.

Vendimi për kartonin e kuq të Kalulu është parë si i paarsyeshëm edhe nga analistët, pasi nuk ka pasur ndonjë kontakt direkt mes lojtarit dhe Alessandro Bastonit në atë rast.

Në fakt, në momentin kur gjyqtari jep kartonin e dytë të verdhë, vetë Kalulu i kërkon ta rishikojë VAR-in, por një gjë e tillë nuk është e mundur meqenëse teknologjia nuk mund të përzihet në raste të tilla.

Komento: