
Një intervenim i ndërlikuar kirurgjik është realizuar me sukses në Spitalin e Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.
Në njoftimin e spitalit thuhet se pacientja me inicialet Sh.K., e lindur në vitin 1968 u pranua në repartin e Kirurgjisë me ankesa për dhimbje të forta, fryrje të barkut dhe pengesa serioze në tretje.
“Pas ekzaminimeve të detajuara imazherike dhe laboratorike, ekipi mjekësor e diagnostikoi pacienten me Tumor Permagna abdominis (tumor me përmasa shumë të mëdha në bark, rreth 4 kilogramë). Po ashtu, ajo kishte edhe Peritonitis serosa (inflamacion i membranës së barkut me grumbullim lëngu)”.
“Për shkak të rrezikut dhe përmasave të masës tumorale, u vendos për ndërhyrje të menjëhershme kirurgjike. Gjatë operacionit, ekipi arriti të hiqte me sukses masën tumorale që peshonte rreth 4 kilogramë, duke i rikthyer pacientes funksionet vitale dhe duke eliminuar rrezikun për jetën”.
“Aktualisht, pacientja është në gjendje stabile shëndetësore, ndërsa masa tumorale është dërguar për ekzaminim histopatologjik në Institutin e Patologjisë në QKUK”, thuhet në njoftimin e spitalit.