
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin diskutuan për marrëdhëniet ndërshtetërore dhe zhvillimet rajonale.
Në fokus të bisedimeve ishte koordinimi i ngushtë politik dhe institucional, si dhe përkushtimi i ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, në funksion të avancimit të interesave strategjike të përbashkëta. Të dy liderët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit Kosovë–Shqipëri si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, si dhe rolin konstruktiv të të dyja shteteve në nisma ndërkombëtare që promovojnë paqen dhe bashkëpunimin.
Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e angazhimit në kuadër të Bordit të Paqes, duke nënvizuar rolin e përbashkët në iniciativa globale që mbështesin dialogun, sigurinë dhe vlerat demokratike.
“Kosova dhe Shqipëria janë të nderuara me ftesën nga Presidenti Donald Trump në Bordin e Paqes, si dëshmi e respektit dhe partneritetit me aleatët strategjikë”, u shpreh Osmani.
Të dy udhëheqësit riafirmuan vullnetin për thellimin e bashkëpunimit vëllazëror ndërmjet dy shteteve, duke përfshirë partneritetin ekonomik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe krijimin e mundësive konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.
Presidentja Osmani përgëzoi Kryeministrin Rama për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke e cilësuar këtë si një zhvillim që forcon perspektivën evropiane të gjithë rajonit. Në përmbyllje, Kryeministri Rama uroi Presidenten Osmani dhe qytetarët e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë, duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Shqipërisë për shtetin dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës. /Telegrafi/