ZKM thekson se Kurti e priti Ramën “me ceremoni”: Biseduan për marrëdhëniet ndërshtetërore e mundësitë e reja

17:20 | 16 Shkurt 2026
zkm-thekson-se-kurti-e-priti-ramen-“me-ceremoni”:-biseduan-per-marredheniet-ndershteterore-e-mundesite-e-reja

Marrëdhëniet ndërshtetërore, marrëveshjet ndërqeveritare, projektet infrastrukturore me interes të përbashkët dhe mundësitë e reja në këtë mandat të dy qeverive, ishin ndër temat kryesore të diskutimit gjatë takimit të sotëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Në komunikatë u theksua se Kurti “me ceremoni zyrtare mirëpriti” Ramën.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me ceremoni zyrtare, mirëpriti për takim bilateral Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

“Kryeministri Rama uroi kryeministrin Kurti për fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe për formimin e Qeverisë, për çka kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij dhe vullnetin e Qeverisë që drejton për forcimin dhe zgjerimin e marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në shërbim të qytetarëve dhe mbarë kombit”, thuhet në komunikatë.

“Bashkëpunimi dhe marrëveshjet e deritanishme ndërshtetërore në pesë vitet e fundit kanë përfshirë njësimin e teksteve shkollore, projektet kulturore mbarëkombëtare, projektet infrastrukturore, si hekurudha Prishtinë-Durrës, lehtësimin e lëvizjes në zonat kufitare, njohjen e diplomave, pastaj bashkëpunimi në energji, siguri, sport, transport, turizëm dhe zhvillim ekonomik”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Komento: