
Gjatë aktivitetit avokues ndërkombëtar, kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, zhvilloi një takim me ish-liderin katalunas, Carles Puigdemont në Belgjikë, ku u diskutua për procesin që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Siç njofton OVL e UÇK-së, Gucati e informoi Puigdemont më gjerësisht mbi shqetësimet lidhur me standardet e drejtësisë, barazinë e palëve dhe trajtimin e ish-krerëve të UÇK-së.
“Ai shprehu mbështetje të fortë për të drejtën tonë për një proces të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Puigdemont ka qenë President i Qeverisë së Katalonjës në vitin 2017, periudhë gjatë së cilës u zhvilluan ngjarjet politike të njohura në Spanjë lidhur me referendumin për pavarësi. Ai ka shërbyer gjithashtu si deputet në Parlamentin Evropian. Aktualisht është lider i formacionit politik katalanas “Junts per Catalunya” dhe vazhdon aktivitetin e tij politik në nivel evropian.