
Një incident është raportuar të ketë ndodhur në Institutin e Psikiatrisë Forenzike. Një punëtor i institutit është sulmuar fizikisht nga një i burgosur.
Rasti ka ndodhur më 17 shkurt, kur i burgosuri ishte dërguar për vlerësim në institut dhe ka sulmuar një punëtor të pastrimit.
Punëtori në fjalë ka pësuar lëndime dhe është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.
Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, Arsim Gashi, drejtor i Institutit të Psikiatrisë Forenzike.
Ai ka thënë se i burgosuri ishte sjellë nga Qendra e Paraburgimit për vlerësim, por meqë nuk kishte vend të lirë në institut, ai është kthyer sërish në paraburgim pas incidentit.
“Bëhet fjalë për një person që është sjellë në institut. Pasi i ka përfunduar procedurat e brendshme, është pritur që të kthehej në qendrën e paraburgimit, pasi nuk kemi pasur vend të lirë. I burgosuri ka sulmuar edhe persona të tjerë, përfshirë staf gjyqësor. Rastësisht ka kaluar punëtori i pastrimit dhe e ka goditur me kokë. Është dërguar në Qendrën Emergjente. Nuk është konstatuar ndonjë lëndim i rëndë dhe më pas është dërguar në shtëpi. I burgosuri është rikthyer në qendrën e paraburgimit”, tha Gashi për Insajderin.