
Nën emocione pjesëtarët e Organizatës së Veteranëve të Luftës përcollën fjalimet e fundit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që u mbaj sot në Dhomat e Specializuara të Hagës. Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Fatmir Sopi e cilësoi paraqitjen e tyre si një përballje dinjetoze me të vërtetën para trupit gjykues, raporton KosovaPress.
Sopi për KosovaPress, tha se fjalimet e tyre janë një dëshmi e qartë e angazhimit atdhetar dhe e qëndresës përballë një procesi të gjatë gjyqësor.
“Ishte një përmbledhje e veprimtarisë atdhetare të secilit. Ishte një prononcim para një trupi gjykues e gjithë asaj, pa frikë dhe pa fshehur asgjë, duke treguar të vërtetën dhe angazhimin e tyre për çlirimin e vendit. Vërtet çlirimtarë, dinjitozë dhe të pathyeshëm ndaj çdo padrejtësie që po u bëhet gjatë këtij procesi të stërzgjatur gjyqësor…Vërtet patëm emocione dhe kemi prapë emocione, edhe tash jemi nën emocione, sepse e dimë të kaluarën e tyre, e dimë aktivitetin e tyre, e dimë fuqinë e tyre dhe luftën e tyre të drejtë, si dhe motivet që na kanë dhënë si në luftë, si në shtet formim, si sot”, tha Sopi
Sipas tij, akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së kanë burimin në Beograd dhe janë të ndikuara nga qarqe që historikisht kanë kundërshtuar Luftën Çlirimtare të Kosovës.
“E sot, besoj se ata janë të bindur edhe në drejtësi, sepse e thanë të katërtit se edhe pse na është bërë padrejtësi, ne kemi besim të plotë në drejtësi dhe kërkuan nga trupi gjykues që të vendosë vetëm pa emocione, por vetëm në bazë të fakteve dhe të dëshmive që posedon ajo gjykatë” , u shpreh ai.
Duke komentuar veçmas paraqitjet e të akuzuarve, Sopi vlerësoi fjalimin e ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili, sipas tij, paraqiti rrugëtimin e tij që nga studimet, deri te procesi i shtetndërtimit në bashkëpunim me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian.
Për Kadri Veselin, ai tha se argumentoi qartë arsyet e përfshirjes në luftë duke hedhur poshtë akuzat ndaj tij.
“Zoti Veseli po ashtu e dha qëndrimin e tij dhe argumentoi arsyen e angazhimit të tij si në luftë domethënë pas mbylljes së shkollave dhe represionit të vazhdueshëm të pushtetit serb e dha qëndrimin e tij pse është angazhuar në luftë, pse është angazhuar në shtetndërtim dhe e dokumentoi se asnjë bazë nuk ka dhe asnjë akuzë nuk qëndron e cila është ngritur ndaj tij” , tha Sopi
“Zoti Rexhep Selimi, si gjithmonë i palëkundur, i bindur në qëndrimet e tij dhe krenar për të kaluarën e tij, duke mos mohuar asnjëherë ekzistencën dhe sidomos aty ku prokuroria e paraqet si akuzë bashkëpunimin e tij me Adem Jasharin. Ky, përkundrazi, e kthen dhe thotë se përkundrazi ajo nuk është akuzë, por për mua është nder ai që më thotë se kam bashkëpunuar me Adem Jasharin”, shtoi ai.
Sa i përket Jakup Krasniqi, nënkryetari i OVL-UÇK-së theksoi vuajtjet e tij shumëvjeçare në burgje, si në Serbi ashtu edhe në paraburgim në Hagë.
“Njeri i cili po vuan vitin e 16-të në burgje, sa të Serbisë po ashtu edhe në burgje të pamerituara të bashkësisë ndërkombëtare, në këtë rast që vetëm emrin e kanë Gjykatë e Kosovës por është gjykatë tërësisht e huaj. Me të vërtetë paraqitja e Bacës Jakup shkakton te ne emocione sepse unë jam edhe bashkëvuajtës i tij në burgjet e Serbisë dhe kurrë nuk e ka merituar ai që në këtë moshë të merret me diçka të paqenë, të merret me argumentimin e luftës sonë të drejtë çlirimtare dhe të persekutohet nëpër gjyqe në këtë moshë” tha ai.
Duke folur për ecurinë e procesit në Hagë, Sopi u shpreh i bindur se trupi gjykues tashmë e ka të qartë të gjithë procesin.
Ai përmendi dëshmitë e personaliteteve ndërkombëtare, si ish-zyrtari amerikan James Rubin dhe përfaqësues të NATO, përfshirë gjeneralin Wesley Clark, duke theksuar se sipas tij është e pabesueshme të pretendohet se ata kanë qenë të manipuluar.
“Ne çuditemi se si është e mundur ajo Prokurori të mendojë një gjë të tillë, se ne i paskemi manipuluar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n që të hyjnë në luftë dhe të na bashkëngjiten për ndaljen e një të keqeje të madhe, e cila veç popullin tonë e kishte vënë pranë shfarosjes totale.”, tha ai.
Ndërsa sa i përket pritjeve për vendimin që do të merret për ish krerët e UÇK-së, ai theksoi se pret lirimin e tyre.
“Në qoftë se ka vetëm një grimë drejtësi diku, kjo është dëshmuar plotësisht se këta çlirimtarë janë të pafajshëm dhe presim me padurim lirimin e tyre dhe që të kthehen pranë familjeve të tyre, pranë bashkëluftëtarëve të tyre, pranë popullit të tyre dhe në shtetin për të cilin kanë dhënë shumë, kanë sakrifikuar shumë dhe janë më meritorët – pas dëshmorëve të kombit dhe martirëve që kanë dhënë jetën – këta njerëz janë më meritorët për lirinë që gëzojmë ne sot” , shtoi ai.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është mbajtur seanca e fundit e parashtrimit të deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së, të cilit po mbahen nga paraburgim nga nëntori i viti 2020.