
Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur indinjatën e saj në lidhje me refuzimin e 21 amendamenteve të cilat grupi parlamentar i tyre i propozoi në buxhetin e Kosovës.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku në konferencën për media bashkë me deputetin Fadil Hadërgjonaj dhe Besian Mustafën prezantuan projektet që u refuzuan.Lushaku i ka cilësuar tejet të rëndësishme projektet, të cilat u refuzuan.
“Në emër të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kemi dalë këtu për të shprehur indinjatën tonë për refuzimin e 21 amendamenteve që kemi propozuar si grup parlamentar. Projekte të rëndësishme, tepër të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, edhe kanë qenë projekte të cilat ne i kemi sjellë në Kuvend të bindur që pushteti do të ketë mirëkuptimin e vet edhe do ta kuptojë rëndësinë e këtyre projekteve. Më lejoni këtu që t’i përmend këto projekte, disa prej tyre, dhe të reflektojmë bashkë mbi rëndësinë e tyre. Pushteti ka refuzuar që t’i rritet buxheti Universitetit të Prishtinës. E ka refuzuar mësimin tërëditor si njërën nga projektet më të duhura për shkollat dhe për nxënësit, për familjet e Kosovës. E ka refuzuar unazën e kryeqytetit. E ka refuzuar ndërtimin e spitalit të kryeqytetit, një nga projektet më të rëndësishme që do të shkarkonte qendrën universitare të shëndetësisë. Ka refuzuar një varg projektesh që janë në interes të këtyre komunave, ujësjellës në Lipjan, ka refuzuar projekte të tjera që kanë të bëjnë me ndërtimin e ujësjellësve edhe në komuna të tjera si Skenderaj ose Istogu. Ka refuzuar një projekt tepër të rëndësishëm që do t’i modernizonte shkollat e Kosovës, në fakt digjitalizimin e shkollave dhe hyrjen e inteligjencës artificiale. Shumë shkolla kanë kushte dhe do të mund të fillonin një projekt të tillë. Ka refuzuar digjitalizimin e të dhënave për kulturë dhe turizëm, një projekt tepër i rëndësishëm që do të ndërtonte një hartë vizuale rreth kapaciteteve tona kulturore në Kosovë”, tha Lushaku.