
Rrjeti i OSHC-ve të Arsimit Parauniversitar (ROSCAP) ka shprehur shqetësim për vendimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Prishtinë për riorganizimin e procesit mësimor gjatë muajit të Ramazanit, përmes ndryshimit të orarit dhe shkurtimit të pushimit të gjatë.
Në deklaratën publike, ROSCAP ka theksuar se, ndonëse respekton të drejtën e qytetarëve për praktikim fetar, organizimi i arsimit publik duhet të mbështetet në parimet kushtetuese të neutralitetit dhe barazisë.
“Ndryshimi i organizimit mësimor mbi baza fetare, edhe me qëllim të mirë, krijon precedent dhe cenon parimin e trajtimit të barabartë të të gjithë nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve”, thuhet në reagim.
Organizata ka vlerësuar se shkurtimi i pushimit të gjatë është pedagogjikisht i pajustifikuar dhe i dëmshëm për mirëqenien e nxënësve dhe stafit arsimor.
“Vendimi duket të jetë marrë pa konsultim të mjaftueshëm me komunitetin shkollor dhe pa një analizë të plotë profesionale”, ka vlerësuar ROSCAP, duke shtuar se disa shkolla nuk kanë kapacitete për ta zbatuar këtë vendim.
Sipas ROSCAP, një veprim i tillë bie ndesh me parimet kushtetuese të neutralitetit dhe barazisë, si dhe me Ligjin për Arsimin Parauniversitar, i cili kërkon që organizimi i arsimit publik të bazohet në parime të mosdiskriminimit dhe karakterit publik të sistemit arsimor.
“Vendime të tilla rrezikojnë të dëmtojnë karakterin laik të shtetit dhe të krijojnë precedent për praktika të ngjashme në komuna të tjera”, thuhet në deklaratë.
ROSCAP ka theksuar se demokracia kushtetuese kërkon mbrojtjen e të drejtave të të gjithëve dhe se përshtatja e organizimit shkollor sipas praktikave të një grupi fetar mund të krijojë perceptim favorizimi dhe ndjenjë përjashtimi te të tjerët.
“Arsimi publik duhet të mbetet hapësirë neutrale dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet në reagim.
Organizata i ka bërë thirrje DKA-së në Prishtinë që ta rishqyrtojë vendimin dhe ta kthejë organizimin mësimor në gjendjen paraprake deri në një vlerësim të plotë profesional dhe ligjor. Po ashtu, ka kërkuar ndërhyrjen e kryetarit të Komunës së Prishtinës në rast të mosreflektimit, ndërsa ka paralajmëruar edhe hapa institucionalë dhe juridikë, përfshirë adresimin e rastit te Institucioni i Avokatit të Popullit.
“Qëllimi ynë mbetet mbrojtja e interesit më të mirë të fëmijëve dhe ruajtja e neutralitetit të institucioneve publike”, ka theksuar ROSCAP. /Telegrafi/