
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, është përgjigjur rreth akuzave që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka bërë ndaj tij duke bërë thirrje për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për të hetuar dhe gjykuar krimet e njohura si “turizmi i snajperëve” në Sarajevë, me akuza se “Presidenti serb Aleksandar Vuçiç luajti një rol në këtë fenomen”.
Këto akuza u komentuan sot nga Vuçiç.
“Unë jam fajtor për të gjitha këto. Jam fajtor për gjithçka që mendojnë ata. Thjesht duhet ta dish se ata kanë shpikur çdo shkronjë dhe nuk ia vlen. Mund të organizosh 150 gjykata, mijëra gjykata, nuk ia vlen”, tha Vuçiç.
Duke folur për imazhin që qarkullon, i cili dyshohet se e tregon Vuçiçin me një pushkë në shpatull, ai ka thënë se: “Çfarë budallenjsh janë. Ta krijojnë këtë me inteligjencë artificiale dhe të gjitha mrekullitë e tjera. Kushtojini vëmendje sa budallenj janë. Në ndonjë video rreth Sarajevës. Sa budallenj janë që ma varin në shpatullën e majtë. Kush e di, kur je djathtak, pyet ushtarët, nuk ke forcë të varësh një pushkë në shpatullën e majtë, nuk ka asnjë ushtar në botë që e bën këtë. Por nuk ia vlen ju budallenjtë ta shpjegoni. Edhe kur ata e montojnë, e sajojnë, e falsifikojnë – jo, ia vlen.”