Protesta e opozitës, reagon Komuniteti Mysliman i Shqipërisë: Dënojmë incidentin, u lënduan besimtarë të pafajshëm

14:25 | 21 Shkurt 2026
protesta-e-opozites,-reagon-komuniteti-mysliman-i-shqiperise:-denojme-incidentin,-u-lenduan-besimtare-te-pafajshem

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, KMSH ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me incidentet e regjistruara pranë Xhamisë së Namazgjasë gjatë protestës së opozitës. KMSH ka dënuar incidentin teksa thekson se besimtarë të pafajshëm u lënduan pa asnjë shkak.

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme pranë Xhamisë së Namazgjasë, në një kohë kur besimtarët po falnin namazin e Teravive. Shprehim indinjatën tonë të thellë për lëndimin e pajustifikuar të besimtarëve, të cilët ndodheshin në ambientet e xhamisë për të kryer ritet e tyre fetare në paqe dhe qetësi, raporton euronews.al

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka qenë gjithmonë një faktor i matur dhe i përmbajtur në qëndrimet dhe reagimet e tij publike. Megjithatë, kjo maturi nuk duhet të keqinterpretohet si tolerim i shkeljes së të drejtave dhe lirive kushtetuese të besimtarëve tanë.

Në këtë kuptim, dënojmë me vendosmëri incidentin e ndodhur më 20 shkurt 2026 pranë Xhamisë së Namazgjasë, ku besimtarë të pafajshëm u lënduan pa asnjë shkak.

U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të tregojnë maturi, përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje, në mënyrë që veprimet e tyre të mos cenojnë të drejtat dhe liritë e besimtarëve tanë apo të çdo qytetari tjetër”, thuhet në njoftim

Komento: