AGK publikon raportin për gjuhën e urrejtjes ndaj grave gazetare në rrjetet sociale

13:15 | 23 Shkurt 2026
agk-publikon-raportin-per-gjuhen-e-urrejtjes-ndaj-grave-gazetare-ne-rrjetet-sociale

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës kanë lansuar hulumtimin “Monitorimi i Mediave: Analizë e gjuhës së urrejtjes në internet ndaj grave gazetare, bazuar në komente reale, postime dhe përmbajtje mediale.

Hulumtimi trajton përhapjen e gjuhës së urrejtjes me bazë gjinore në hapësirën online dhe rolin e mediave në këtë fenomen.

Kontribuuesja dhe ekspertja gjinore, Leonida Molliqaj, tha se gjuha e urrejtjes ka ekzistuar gjithmonë, por sot është bërë më e dukshme për shkak të rritjes së portaleve online dhe rrjeteve sociale, ndërsa gratë janë targeti kryesor, si në Kosovë ashtu edhe globalisht.

“Fatkeqësisht gjuha e urrejtjes ka ekzistuar gjithmonë, por arsyeja se pse sot është një temë kaq e përditshme në të cilën po hasim çdo ditë nëpërmjet mediave është për shkak të zhvillimit të tepërt të madh edhe të portaleve online, gjithashtu edhe të hapësirës më të madhe të mendimeve dhe opinioneve nëpërmjet rrjeteve sociale. Target i gjuhës së urrejtjes fatkeqësisht më së shumti janë gratë, edhe jo vetëm në Kosovë por edhe në nivel global. Këtu rol të veçantë luajnë mediat, si në aspektin pozitiv fatkeqësisht edhe në aspektin negativ”, tha ajo.

Ajo theksoi se shpesh në shënjestër janë vetë gratë gazetare, sidomos kur trajtojnë tema të ndjeshme dhe tabu, duke shtuar se gjuha e urrejtjes përbën një formë të dhunës me bazë gjinore dhe duhet trajtuar si e tillë.

“Një target i gjuhës së urrejtjes shpesh di me qenë edhe vetë gratë gazetare, të cilat bash pse bëjnë punë të guximshme edhe ngrisin tema të rëndësishme në Kosovë, tema tabu që prekin çështje që më herët kanë qenë nëpër margjina të shoqërisë, bash atëherë bëhen target i sulmeve online. Është me rëndësi me e ditë që gjuha e urrejtjes është një prej formave të dhunës me bazë gjinore, edhe duhet me u trajtu si e tillë”, tha ajo.

Autorja e raportit, Getoarbë Mulliqi, deklaroi se raporti është hartuar si një udhëzues analitik pas identifikimit të gjuhës së urrejtjes si një prej formave të presionit dhe diskriminimit ndaj grave në media, duke përmendur edhe rastin “Albkings”, ku disa gazetare kanë hezituar ta bëjnë publik sulmin.

“Ky raport në fakt është më shumë një lloj udhëzuesi analitik, i cili ka ardhur si nevojë jo vetëm pas themelimit të rrjetit të grave gazetare, por ka ardhur si nevojë prej që kur AGK-ja e ka krijuar edhe shtyllën e fuqizimit të grave. Një prej gjërave që i kemi identifikuar në rrjetin e grave, e quajmë edhe si hapësirë të sigurt për gratë, një prej formave që i kemi identifikuar të presioneve, të diskriminimit, të dhunës që gratë në media përballen me to, ka qenë edhe gjuha e urrejtjes. Këtë e kemi parë qartë edhe në rastin me Albkings, që i kemi pasur gjashtë gazetare, dy prej të cilave madje kanë hezituar edhe me e bërë publik rastin te AGK-ja, vetëm e kanë paraqitur te institucionet”, tha ajo.

Sipas saj, një nga problematikat kryesore mbetet hapësira online, ku gratë sulmohen më shumë në aspekt personal për shkak të gjinisë, ndërsa kjo reflektohet edhe në mënyrën se si raportohen rastet e dhunës në familje.

“Kështu që, ky raport ka ardhur si nevojë me parë se çfarë saktësisht është gjuha e urrejtjes me bazë gjinore. Një prej problematikave kryesore që ne e kemi identifikuar, është hapësira online, janë hapësirat virtuale, ku nga monitorimet tona të cilat i kemi filluar me i bërë shumë më herët para se me u hartuar raporti, ne e kemi parë që gratë sulmohen në veçanti në aspekte më personale, në aspekte më individuale, për shkak se këtu hyn në funksion edhe faktori gjini. Shumë më lehtësisht sulmohen, jo vetëm gratë që punojnë në media, por të gjitha gratë kur raportohet për to. Nuk janë të rralla rastet që kemi ndeshur në komente faktikisht. Edhe në këto raportime ne e shohim se sa keq paraqitet një rast i dhunës në familje, se si paraqitet një viktimë e dhunës në familje, se si paraqitet një e mbijetuar e dhunës në familje”, tha ajo.

Mulliqi shtoi se megjithëse përmbajtja e artikujve shpesh është korrekte, problem mbeten përshkrimet dhe fotografitë në rrjetet sociale, të ndikuara edhe nga skemat e financimit në platforma si Facebook, TikTok dhe YouTube.

“Mediat jo domosdoshmërisht e shkruajnë që është faji i gruas, mirëpo gjithmonë në titujt e tyre, në përshkrimet e tyre, lënë të nënkuptohet që ka ndodhur diçka, ashtu që me i sjellë një burrë për me e kryer krimin, pra për me e kryer vrasjen në drejtim të grave. Pastaj, të mos flasim edhe për çështje sepse këtu ka shumë problematika, një nga to është edhe mos skemat e financimit të mediave, edhe pastaj nevoja e mediave për me i postuar të gjitha materialet për përmbajtjen, sidomos po flas çfarë shohim në Facebook, së fundi ka kaluar edhe në TikTok, edhe gjithashtu në YouTube, sepse po financohen nga Meta edhe nga Google”, tha ajo.

Në raport theksohet gjithashtu se janë të rralla rastet kur raportimet e policisë për dhunë në familje kanë burra si viktima.

“Kështu që, nëse kemi analizuar disa nga artikujt, i kemi monitoruar disa raste qysh e thashë edhe rasti i Marigonës, qysh është edhe rasti i Liridonës. Brenda në artikull mund të themi se 90% të rasteve ne kemi të bëjmë me një artikull të shkruar korrekt, që është i përgjegjshëm dhe që është informues. Mirëpo ne kemi problem me përshkrimet të cilat bëhen, posaçërisht në rrjetet sociale, edhe me fotografitë me të cilat ilustrohen këto raste. Rastet janë të pakta kur vjen një raport i policisë për dhunë në familje ku burra janë viktima”, tha ajo./EO

Komento: