Locatelli: Më vjen të qaj, ne ia kushtuam zemrën dhe shpirtin kësaj ndeshjeje

09:58 | 26 Shkurt 2026

Manuel Locatelli pranoi se “ndihet sikur do qan” pas eliminimit dramatik të Juventus nga Galatasaray, pas humbjes në kohën shtesë që vulosi kualifikimin e turqve për në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve.

“Dhamë zemrën dhe shpirtin në këtë ndeshje. Kjo është skuadra që duhet të jemi gjithmonë”, deklaroi mesfushori bardhezi pas përfundimit të takimit.

Pas humbjes 5-2 në ndeshjen e parë në Stamboll, përmbysja dukej një mision tepër i vështirë për Juventusin.

Situata u komplikua edhe më shumë në minutën e 48-të, kur Lloyd Kelly u ndëshkua me karton të kuq, në një moment kur “Zonja e Vjetër” kryesonte 1-0 falë penalltisë së realizuar nga Locatelli.

Megjithatë, bardhezinjtë reaguan me karakter.

Golat e Federico Gatti dhe Weston McKennie çuan sfidën në kohën shtesë, ndërsa Edon Zhegrova pati një rast të artë për ta mbyllur përmbysjen brenda kohës së rregullt.

Në fund, epërsia numerike e Galatasarayt bëri diferencën, me Victor Osimhen dhe Baris Alper Yilmaz që shënuan dy gola vendimtarë në minutat e fundit të shtesës, duke vulosur rezultatin e përgjithshëm 7-5 në favor të skuadrës turke.

Pavarësisht eliminimit, tifozët në “Allianz Stadium” duartrokitën ekipin për paraqitjen heroike me një lojtar më pak për më shumë se një orë.

“Sinqerisht më vjen të qaj, sepse ne besuam vërtet. Dhamë gjithçka, madje më shumë se kaq. Një episod e bëri gjithçka më të vështirë në ndeshjen e parë, por sot dua t’i falënderoj të gjithë nga zemra”, u shpreh Locatelli për Amazon Prime Video Italia.

“Atmosfera në stadium ishte e jashtëzakonshme. Janë net që mbeten gjatë në kujtesë. Morëm energjinë që na duhej nga tifozët”.

Juventusi ishte kritikuar gjatë sezonit për mungesë karakteri, por paraqitja e kësaj mbrëmjeje tregoi një tjetër fytyrë të skuadrës.

“Ne dhamë zemrën dhe shpirtin. Këtë ua kërkoj gjithmonë lojtarëve, dhe sonte e bëmë vërtet. Kjo është Juventusi që duam të shohim dhe që duhet të jemi gjithmonë. Duhet të luajmë gjithmonë në këtë nivel. Jemi në rrugën e duhur dhe nuk duhet ta humbasim besimin”, përfundoi mesfushori italian.

Komento: