
Drejtuesit e Juventus pritet të takohen javën e ardhshme me trajnerin Luciano Spalletti për të nisur negociatat për rinovimin e kontratës së tij.
“Bianconerët” kanë hyrë në një fazë vendimtare të sezonit, teksa përgatiten për sfidën e rëndësishme të Serie A ndaj AS Roma të dielën. Kontrata aktuale e teknikut italian skadon në fund të sezonit dhe klubi tashmë ka vendosur t’i ofrojë një marrëveshje të re.
Sipas “Tuttosport”, Spalletti është i gatshëm të vazhdojë aventurën në Torino, por kërkon garanci të qarta mbi projektin sportiv të klubit, duke nisur nga merkatoja e verës së ardhshme. Raporti thekson se marrëveshja e mundshme nuk varet nga paga, por nga ambiciet dhe planet e Juventusit.
Trajneri italian thuhet se pret të paktën një përforcim të madh në çdo repart, ndërsa buxheti i klubit do të varet në masë të madhe nga kualifikimi në Ligën e Kampionëve.
Spalletti gëzon mbështetje të plotë nga pronari i klubit, John Elkann, i cili vizitoi skuadrën në zhveshtore pas fitores 3-2 ndaj Galatasaray. Vizita la përshtypje pozitive te trajneri.
Megjithatë, Spalletti mbeti i zhgënjyer nga eliminimi dhe i lodhur nga ndeshja e kthimit në Torino, aq sa kaloi një ditë pushimi në shtëpinë e tij në Toskanë për t’u rikuperuar.
Sot ai nuk do të dalë para mediave në prag të ndeshjes së Serie A kundër Romës, pasi në vend të tij pritet të flasë mbrojtësi Pierre Kalulu./Telegrafi