
Ish-ylli i Man Unitedit ka thënë se Bullgaria humbi sepse Kosova s’e lejoi të fitojë
Golashënuesi më i mirë në historinë e Bullgarisë dhe ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Dimitar Berbatov, e lavdëroi Kosovën për paraqitjen në fitoren 3:2 kundër Bullgarisë në Sofje, duke thënë se ata luajtën futboll inteligjent.
Skuadra e Bernard Challandes ishte dominuese për pjesën më të madhe të ndeshjes të së hënës kundër Bullgarisë, e cila u zhvillua në kuadër të Grupit A të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020, shkruan Gazeta Express.
“Ne humbëm sepse Kosova nuk na lejoi të fitojmë. Ata vendoseshin në pozicione më të mira dhe luftuam më shumë për fitoren. Këtë janë gjëra që trajneri i ka parë. Edhe unë i vërejta dhe nuk ishte aspak e këndshme”, ka thënë Berbatov.
“Rivali e dominoi ndeshjen dhe kjo është gjëja më shqetësuese. Dy prej golave të tyre ishin futboll i pastër, ndërsa goli i tretë erdhi pas gabimit tonë. Ata luajtën futboll shumë inteligjent”.
“Lojtarët tonë duhet ta kuptojnë që nuk luajtën mirë. Por, ne nuk mund ta pranojmë se ky është niveli ynë. Kemi rënë, por tani duhet të ngrihemi dhe t’i përmirësojmë gabimet e së tashmes, sado që tingëllon si klishe”.
Me këtë fitore, Kosova radhitet në pozitën e tretë në tabelën e Grupit A, vetëm me një pikë më pak sesa Anglia dhe Republika Çeke. Megjithatë, Anglia e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.