
Një takim i rëndësishëm u zhvillua këtë mëngjes në Madrid midis përfaqësuesve të Barcelona dhe drejtuesve të Manchester City, me qëllim të eksplorohet një mundësi që klubi katalanas të ketë përparësi në një transferim të ardhshëm të Erling Haaland.
Gazeta SPORT raporton se drejtori sportiv i kandidatit për presidencë, Victor Font, u pa duke u larguar nga hoteli Four Seasons, ku ndodhej kampi stërvitor i Manchester City.
Bashkë me të, në takime morën pjesë edhe anëtarët e stafit të Font, Carles Planchart dhe Xavier Aguilar, të cilët diskutuan me drejtorin ekzekutiv të City, Ferran Soriano, dhe drejtorin sportiv, Hugo Viana.
Sipas burimeve të gazetës, një nga objektivat e këtyre takimeve ishte të sigurohej një opsion preferencial blerjeje për Haaland, në rast se sulmuesi norvegjez dhe Manchester City ndahen në të ardhmen. Emri i Haaland ka qenë prej kohësh në planet afatgjata të Barcelonës dhe konsiderohet prioritet i transferimeve të klubit.

Megjithatë, Haaland kohët e fundit ka rinovuar kontratën me City deri në vitin 2034, duke bërë që një transferim afatshkurtër të mos jetë i mundshëm. Por një opsion preferencial i siguruar tani do t’i siguronte Barçës përparësi ndaj klubeve të tjera të interesuara, si Real Madrid.
Vetë Víctor Font konfirmoi mëngjesin e sotëm aktivitetin e drejtuesve sportivë të Barcelonës.
“Drejtoria sportive është jashtëzakonisht aktive, duke punuar në tregun e transferimeve, duke udhëtuar dhe duke u takuar me klubet. Jemi shumë afër mundësive që mund t’i ofrojmë Hansi Flick”.

Vlen të përmendet se Carles Planchart, pjesë e stafit të Font, ka punuar për gati dy dekada me Pep Guardiola te Barcelona, City dhe Bayern, duke ruajtur marrëdhënie të forta me trajnerin dhe klubin anglez.
Takimet u zhvilluan në mënyrë diskrete brenda hotelit, në një dhomë private, për t’i mbajtur larg syve të jashtëm.
Qëllimi i Font është që Barcelona të pozicionohet herët në këtë operacion strategjik, duke siguruar të drejtën preferenciale për të nënshkruar me Haaland në të ardhmen, nëse ndonjëherë City dhe sulmuesi norvegjez vendosin të ndahen. /Telegrafi