PDK: Kurti po legjitimon funksionimin e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë

14:40 | 14 Mars 2026
pdk:-kurti-po-legjitimon-funksionimin-e-strukturave-ilegale-te-serbise-ne-kosove

Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar Qeverinë Kurti se me veprimet e fundit ka lejuar funksionimin e institucioneve ilegale të Serbisë në Kosovë dhe ka legjitimuar dokumentet që ky shtet i lëshon kundërligjshëm për qytetarët e Kosovës.

“Me vendimet e fundit, Kurti ka bërë dy lëshime të rënda: ka lejuar funksionimin e institucioneve ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe ka legjitimuar dokumentet që Serbia i lëshon kundërligjshëm për qytetarët e Kosovës. Me pranimin e tyre, ai i ka bërë strukturat ilegale të Serbisë hisedare në zbatimin e legjislacionit të shtetit të Kosovës”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

“Këto vendime tregojnë se kryeministri Kurti ka zhvilluar negociata larg vëmendjes së opinionit publik, në mungesë të plotë transparence dhe në kohën kur po inskenohej kriza e radhës institucionale, me të cilat ai dhe partia në pushtet po e dëmtojnë funksionalitetin e Republikës së Kosovës”.

Partia opozitare i ka bërë thirrje Kurtit që të ndërpresë, sipas tyre, politikat e dëmshme që fuqizojnë narracionin e Serbisë ndaj Kosovës.

“Për vite me radhë, Kurti deklaronte se në Kosovë nuk ekzistojnë më struktura paralele të Serbisë, ndërkohë që me vendimet e tij po e pranon publikisht ekzistencën e tyre dhe po krijon kushte për vazhdimin e funksionimit të tyre”.

“Këto lëshime janë vazhdim i logjikës së rrezikshme të Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të pranuara nga Kurti pa transparencë dhe pa debat institucional, të cilat tashmë po prodhojnë pasoja konkrete në terren në dëm të interesit shtetëror të Kosovës”.

“Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje Qeverisë Kurti që të ndërpresë menjëherë politikat e dëmshme që po prodhojnë konfuzion institucional dhe po e fuqizojnë narrativën e Serbisë ndaj Kosovës”.

Komento: