
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka hapur aktivitetet e Java Globale e Parasë 2026, një iniciativë ndërkombëtare që synon promovimin e edukimit financiar dhe zhvillimin e aftësive financiare tek të rinjtë.
Në ceremoninë hapëse u ndanë edhe çmimet e konkursit edukativ “Stock Market Learning Competition”, ndërsa në aktivitet morën pjesë drejtori menaxhues i German Sparkassenstiftung for International Cooperation, Niclaus Bergmann, zëvendësambasadori i ambasades Gjermane në Kosovë, Christian Böttcher, si dhe studentë, përfaqësues të universiteteve dhe partnerë institucionalë.
“Java Globale e Parasë është një fushatë ndërkombëtare e koordinuar nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), e cila bashkon bankat qendrore, institucionet financiare dhe institucionet arsimore për të rritur ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë e edukimit financiar dhe vendimmarrjes së përgjegjshme financiare. BQK është pjesë e kësaj nisme për të 13-tin vit me radhë”, thuhet në njoftim.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e edukimit financiar për fuqizimin e qytetarëve dhe për ndërtimin e një sistemi financiar të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.
Ai tha se BQK mbetet e përkushtuar në promovimin e edukimit financiar, mbrojtjen e konsumatorëve dhe rritjen e përfshirjes financiare në vend. Sipas tij, ndër vite BQK ka ndërmarrë një sërë iniciativash për rritjen e ndërgjegjësimit financiar të qytetarëve, përfshirë platformën për krahasimin e produkteve dhe shërbimeve financiare, aktivitete edukative me nxënës dhe studentë, si dhe programe që synojnë përmirësimin e qasjes në shërbime financiare për personat me aftësi të kufizuara.
Gjatë ceremonisë u ndanë edhe çmimet për fituesit e “Stock Market Learning Competition”, një garë edukative e zhvilluar në bashkëpunim me German Sparkassenstiftung for International Cooperation. Përmes kësaj gare, studentët nga fakultete ekonomike të Kosovës patën mundësi të mësojnë në mënyrë praktike funksionimin e tregjeve financiare përmes simulimit të tregtimit në bursën virtuale të Stuttgartit.
Në këtë garë morën pjesë 42 studentë nga tetë fakultete të ekonomisë dhe biznesit në Kosovë, të cilët zhvilluan njohuri dhe aftësi praktike në fushën e investimeve dhe tregjeve financiare. Po ashtu, u ndanë edhe çmime për fituesit e një kuizi financiar për nxënësit e shkollave të mesme, ku u shpërblyen gjashtë nxënës nga shkolla të ndryshme të vendit.
Në kuadër të aktiviteteve të kësaj jave, BQK njoftoi edhe për hapjen e thirrjes për aplikim për “Çmimin për Ekonomistët e Rinj”, i cili synon të inkurajojë studentët dhe studiuesit e rinj të kontribuojnë me punime kërkimore inovative në fushën e ekonomisë dhe financave.

Paraprakisht, guvernatori Ahmet Ismaili zhvilloi edhe një takim me drejtorin menaxhues të German Sparkassenstiftung for International Cooperation, Niclaus Bergmann, ku diskutuan për zhvillimet në sektorin financiar në Kosovë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në fushën e edukimit financiar dhe zhvillimit të kapaciteteve institucionale.
Gjatë Javës Globale të Parasë 2026, BQK do të organizojë edhe një sërë aktivitetesh edukative në bashkëpunim me institucione arsimore dhe partnerë të sektorit financiar, duke përfshirë gara dhe aktivitete ndërgjegjësuese për nxënës dhe studentë në të gjithë vendin./Telegrafi/
