
Çmimi i derivateve në Kosovë ka lëvizur edhe sot.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka bërë të ditur për Telegrafin se çmimi i furnizimit me shumicë i derivateve të naftës gjatë ditës së sotme është 1.54 euro.
Sipas tij, aktualisht në tregun e Kosovës çmimet e derivateve në pikat e karburantit ndryshojnë në varësi të operatorëve.
“Çmimi i furnizimit sot me shumicë është 1.54 euro. Ndërsa çmimet aktuale në treg janë: dizelli nga 1.53 euro deri në 1.60 euro, ndërsa benzina nga 1.26 euro deri në 1.39 euro”, tha Berjani për Telegrafin.
Ai shtoi se çmimet në treg mund të kenë dallime të vogla nga një pikë karburanti në tjetrën, varësisht nga kostot e furnizimit dhe faktorët e tregut.
Berjani po ashtu bëri të ditur se qytetarët e Kosovës janë duke u furnizuar me derivate me çmimet më të lira në rajon, përveç Maqedonisë së Veriut.
Më 5 mars ka hyrë në fuqi vendimi i Ministrisë së Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë (MINT) për caktimin e marzhës tregtare.
Vendimi përcakton marzhë të fitimit prej 2 centësh për shitjet me shumicë dhe 12 centësh për shitjet me pakicë.
Rritja e çmimeve po vazhdon si pasojë e tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme. Tregjet globale të naftës kanë reaguar me rritje të çmimeve pas sulmeve të Iranit ndaj disa vendeve të rajonit, që erdhën si kundërpërgjigje ndaj sulmeve nga SHBA-ja dhe Izraeli. /Telegrafi/