Ky është Elson Kuzhnini i përfshirë në rrjetin e fajdeve, ishte gjuajtur me armë me djemtë e ‘Beqës’ më 2025

10:43 | 17 Mars 2026

Elson Kuzhnini i përfshirë në skemën e rëndë të fajdes, detyrimit dhe privimit të kundërligjshëm të lirisë në Prizren, është emër i njohur për organet e rendit.

Ai edhe më herët ka pasur probleme me drejtësinë, pasi më 2025 ishte pjesë e një konflikt me armë, ku të përfshirë ishin disa persona.

Gazeta Sinjali kishte publikuar pamjet ekskluzive nga rasti i të shtënave me armë zjarri në Prizren, ku për pasojë kishin mbetur të plagosur dy persona.

Kuzhnini tash i dyshuar për fajde, atë kohe ishte në konflikt me djemtë e Beqir Hoxhës, i njohur si Beqa.

Ndërkohë, hetimet për fajde që kanë zgjatur për një periudhë të gjatë kohore, nga viti 2023 deri në vitin 2025, kanë çuar në identifikimin e një grupi prej pesë personash të dyshuar, përpos Elson Kuzhnini të përfshirë janë edhe Eduard Kuzhnini, Bruno Kuzhnini, Gjon Kuzhnini dhe Egzon Reshani.

Sipas të dhënave hetimore, të dyshuarit në vazhdimësi kanë ushtruar presion, kërcënime dhe forma të ndryshme dhune ndaj viktimës, duke e detyruar atë të paguaj shuma të mëdha parash në emër të kamatave të fajdesë. Në raste të caktuara, viktima është privuar edhe nga liria, me qëllim të detyrimit për pagesë.

Dëmi financiar i shkaktuar deri më tani vlerësohet të jetë rreth 700 mijë euro, ndërsa të dyshuarit dyshohet se kanë kërkuar edhe rreth 450 mijë euro shtesë si interes.

Gjatë operacionit të realizuar më 16 mars 2026, me urdhër të Gjykatës janë kryer bastisje në pesë lokacione në Prizren.

Si rezultat, është arrestuar Eduard Kuzhnini, i cili tashmë ndodhet në ndalim 48 orësh, ndërsa katër të dyshuarit e tjerë janë në kërkim policor.

Ndërkohë, njëri nga personat në arrati, Egzon Reshani, rezulton të jetë i kërkuar edhe për një rast tjetër penal – tentim vrasje, çka e rëndon edhe më tej profilin kriminal të grupit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Komento: