
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni në një intervistë për Ekonomia Online e ka quajtur vendim të mirë heqjen e masave financiare që Bashkimi Evropian i kishte vendosur ndaj Kosovës në qershorin e 2023-ës, duke theksuar edhe që Kosova nuk ka humbur asgjë, meqë ato ishin të bllokuara.
Kryeziu-Hyseni u është përgjigjur edhe kritikave të opozitave që patën tash e sa kohë rreth kësaj çështje.
Megjithëkëtë, ajo tha se heqja e masave ndodhi sot gjatë një debati në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian,
“Sot kemi marrë një lajm shumë të mirë prej anës së Bashkimit Evropian, pra konfirmimin që Republikës së Kosovës i janë hequr masat që i ishin vendosur padrejtësisht në qershorin e vitit 2023. Në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, sot ka pasur debat mbi raportin për Kosovën dhe gjatë këtij debati përfaqësuesi i Komisionit Evropian, ka dhënë konfirmimin e tij që nga sot Kosovës i hiqen në plotëni masat, të cilat në fakt para disa muajsh kishin filluar të hiqeshin gradualisht”, u shpreh ajo.
Ajo tha se është ngritur zëri edhe gjatë takimeve për masat ndaj Kosovës.
“Pra që nga sot nuk do të ketë më bllokim të mjeteve financiare, të cilat Bashkimi Evropian ia dedikon qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe ky sigurisht që ka qenë një vendim i mirëpritur nga ana e institucioneve tona. Padyshim që masat të cilat i ishin vendosur Republikës së Kosovës kanë qenë të padrejta dhe ne kemi ngritur zërin tonë sa herë që na është dhënë mundësia, edhe nëpër takime që i kemi pasur pra me vetë përfaqësuesit e Bashkimit Evropian”, tha ajo.
Deputetja e LVV-së, ka kujtuar akuzat që opozita bëri ndaj partisë në pushtet, ndonëse ata i kishin quajtur të padrejta.
“Sa i përket çështjes së masave, pra kemi pasur një kritikë të vazhdueshme prej anës së partive opozitare, ani pse në vazhdimësi ne kemi dëshmuar që ky ka qenë një vendim i padrejtë dhe se në çështjen e vendosjes së masave njëzëri duhet ta kërkojmë që një gjë e tillë të hiqet. Por megjithatë, pavarësisht këtij debati të vazhdueshëm të opozitës, ne jemi të lumtur që sot Republika e Kosovës nuk është më nën masa dhe që sot qytetarët e vendit tonë do të mund të përfitojnë pra prej mjeteve financiare të cilat kanë qenë deri më sot të bllokuara”, u shpreh deputetja.
Mirëpo deputetja Kryeziu-Hyseni ka nënvizuar se Kosova nuk ka pësuar humbje nga këto masa, dhe që së shpejti do të bëhet e ditur se si do të bëhet alokimi i këtyre mjeteve.
“E mira është që ne nuk kemi humbur asgjë nga këto mjete financiare, sepse ato kanë qenë të bllokuara për një periudhë të caktuar kohe dhe se qytetarët tanë do të përfitojnë tani e tutje varësisht prej planit që Bashkimi Evropian do ta ketë në raport me institucionet tona. Pra përpos konfirmimit që kemi marrë zyrtarisht prej anës së Bashkimit Evropian, pra prej anës së Komisionit Evropian që masat tani më janë tërhequr në plotëni, së shpejti besoj që do të ketë edhe të dhëna të tjera më të detajuara sa i përket mënyrës se si këto mjete do të alokohen dhe se kur qytetarët tanë do të mund të përfitojnë prej këtyre mjeteve të cilat janë të dedikuara të shpërndahen në Kosovë nëpërmjet projekteve të ndryshme. Pra e rëndësishme është që masat janë tërhequr dhe po ashtu e rëndësishme është që Republika e Kosovës vazhdon të jetë e përkushtuar në angazhimin e saj drejt Bashkimit Evropian”, potencoi ajo.
E ajo pati edhe falënderime ndaj eurodeputetëve dhe përfaqësuesve.
“E këtu sigurisht që jemi falënderues edhe të gjithë eurodeputetëve dhe përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë, të cilët vazhdimisht kanë lobuar që këto masa të hiqen, e të cilët në të njëjtën kohë vazhdimisht kanë ngritur zërin e tyre për padrejtësinë që po i bëhej Republikës së Kosovës, pra me mbajtjen nën masa për një kohë kaq të gjatë. Megjithatë, heqja e këtyre masave dëshmon edhe njëherë orientimin e Republikës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian, e në të njëjtën kohë edhe angazhimin tonë për të përmbushur kërkesat që Bashkimi Evropian i ka në raport me Republikën e Kosovës”, shtoi ajo.
Bashkimi Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023, duke pezulluar financimin dhe takimet dypalëshe midis zyrtarëve evropianë dhe atyre të Qeverisë së Kosovës.
Këto masa ishin vendosur pas tensioneve në komunat me shumicë serbe në Kosovë, pasi në krye të komunave ishin kryetarët shqiptarë.
Para disa muajsh kishte filluar largimi gradual i këtyre masave, ndërkaq sot u konfirmua largimi i plotë i tyre.