
Ndërsa ndeshja më e rëndësishme e historisë së futbollit të Kosovës po afrohet, kombëtarja do të vuajë dëmtimin e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të saj, Leon Avdullahut.
Mesfushori i Hoffenheimit ka pësuar një dëmtim muskulor në stërvitje dhe do të jetë jashtë fushave për disa javë, njoftoi sot trajneri i skuadrës gjermane Christian Ilzer.
Kjo është një goditje e rëndë për Kosovën dhe sigurisht për Hoffenheimin, pasi mesfushori qendror luan rol kyç, duke vepruar si lidhje midis pjesëve të ndryshme të ekipit kombëtar, por edhe klubit.
“Mungesa e Leonit është padyshim e rëndësishme,” tha Ilzer, “ai thjesht luan një rol qendror në ekuilibrin tonë, në ndërtimin e lojës sonë dhe gjithashtu në mbrojtje me pozicionimin e tij. Qoftë kundërpresing apo organizim i shpejtë i një blloku defanziv, ai thjesht zë një vend kyç.”
Avdullahu nuk e ka pranuar mirë lëndimin për shkak, sidomos, të humbjes së duelit vendimtar me Kosovën, bëri të ditur trajneri i Hoffenheimit në konferencën për shtyp para ndeshjes së radhës në Bundesligë.
“Kjo është padyshim diçka që Leon nuk po e pranon mirë, por është fakt, ka ndodhur dhe tani thjesht duhet ta shfrytëzojmë sa më mirë dhe ta rikthejmë në formë të plotë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Ilzer.
Ndeshja mes Kosovës dhe Sllovakisë zhvillohet të enjten më 26 mars me fillim nga ora 20:45 në Bratisllavë.