Emocionuese: Prapaskenat dhe mesazhi që mori nga daja Besnik Avdija, Ermal Krasniqi para triumfit të fitores së madhe

12:11 | 21 Mars 2026

Fitorja e fuqishme e luftëtarit kosovar Ermal Krasniqi në kafaz nuk ishte vetëm rezultat i stërvitjes dhe disiplinës ajo nisi shumë më herët, me një ndalesë të veçantë, të mbushur me emocione, traditë dhe përgjegjësi, shkruan Gazeta Projekti.

Pak para nisjes në meç, Ermali ndaloi tek daja i tij, Besnik Avdija një ish-ushtar i UÇK-së, për të marrë bekimin dhe fjalët që peshojnë më shumë se çdo strategji.

“Daj, po nisem… erdha me të taku para ndeshjes,” tha Ermali.

“Ani i miri dajës, t’priftë e mbara,” iu përgjigj ai.

Por Ermali nuk ishte aty vetëm për një përshëndetje.

“Jo daj… erdha t’i marr këshillat e tua para ndeshjes…”

Në atë moment, Besnik Avdija u mendua për pak çaste, pastaj u ngrit në heshtje dhe shkoi drejt dhomës. Aty mori Flamurin Kombëtar flamurin e tij, të cilin e kishte ruajtur me vite si një kujtim të shenjtë dhe simbol sakrifice.

U kthye ngadalë, me një seriozitet që mbushte dhomën. Pa thënë asnjë fjalë për disa sekonda, ia vendosi flamurin mbi supe nipit të tij dhe e shikoi drejt në sy.

“Kjo është porosia ime… Kujdes, i miri dajës, se për këtë flamur është derdhur shumë gjak. Të lutem mos na e merr fytyrën…”

Fjalët e tij ranë rëndë, si një amanet brezash.

Në atë çast, Ermal Krasniqi nuk ishte më vetëm një sportist. Ai mbante mbi supe historinë, sakrificën dhe besimin e një familjeje dhe të një populli të tërë.

“Jo daj… do ju bëj krenar të gjithëve!” – u përgjigj ai me vendosmëri.

Dhe kur hyri në kafaz në Long Island, ai nuk luftoi vetëm për fitore. Ai luftoi për flamurin që mbante mbi supe, për fjalët që i ishin besuar dhe për nderin që nuk duhej zhgënjyer.

Fitorja e tij u bë më shumë se një sukses sportiv – u bë një moment krenarie kombëtare.

Një histori që dëshmon se ndonjëherë, fuqia më e madhe nuk vjen nga grushtet, por nga rrënjët dhe amanetet që mbajmë me vete.

Komento: