Zbulohen emrat e dy lojtarëve që mbeten jashtë listës së Fodas për ndeshjen ndaj Sllovakisë

11:58 | 26 Mars 2026

Franco Foda ka dorëzuar sot (e enjte) në UEFA listën prej 23 futbollistësh që janë të gatshëm për përballjen e Kombëtares së Kosovës ndaj Sllovakisë në kuadër të ndeshjes gjysmëfinale të ‘play-off’-it për Kupën e Botës 2026.

Dardanët janë mysafirë të sllovakëve në ndeshjen që pritet të zhvillohet në stadiumin “Tehelne pole” të Bratislavës, me fillim nga ora 20:45.

Ekipi i trajnerit Franco Foda ka kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për një paraqitje dinjitoze dhe një fitore të mundshme, e cila do ta dërgonte në një finale të madhe në “Fadil Vokrri” ndaj Turqisë dhe Rumanisë.

Formacioni i mundshëm i Kosovës: Foda pa shumë ndryshime, i beson të përhershmëve dhe rreshtimit fitues

Në fillim të grumbullimit, Foda ftoi 25 futbollistë në listën e parë dhe tetë tjerë në listën rezervë për këtë takim shumë të rëndësishëm.

Megjithatë, në një ndeshje, ekipi duhet t’i ketë vetëm 23 futbollistë dhe Foda është detyruar ta dorëzoj listën me dy emra më pak.

Në listën e dorëzuar në UEFA, Foda ka larguar nga lista mbrojtësin Leard Sadriu dhe mesfushorin Vesel Demaku, ndërsa emrat tjerë mbesin po ata të njëjtit.

Komento: