
Pas vetëm 1 ditë në rënie të çmimit të naftës Bordi i Transparencës ka rritur sërish çmimin e këtij produkti në pikat e shitjes me pakicë, duke vendosur një tavan të ri.
Nafta do të tregtohet për 218 lekë për litër nga 203 lekë/litër e caktuar në vendimin e parë në datën 26 mars. Duke u rritur kështu me 15 lekë.
Një rritje e ndjeshme vërehet edhe tek çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e cila nga 175 lekë do të ketë një tavan të ri, në 181 lekë/litër. Duke u rritur me 6 lekë.
Ndërsa me shumicë këto dy produkte do të tregtohen përkatësisht jo më shumë se 206 lekë/litër nafta dhe 169 lekë/litër benzina.
Ky vendim për rishikimin e çmimit të karburanteve vjen pas kërkesës së importuesve të naftës të cilët në një letër dërguar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ngritën shqetësimin se llogaritjet janë bërë gabim duke vendosur çmimet nën kosto dhe duke ju shkaktuar humbje të mëdha.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 28 Mars ora 10.30 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Ministria e Ekonomisë lajmëron se në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Por kryeministri Edi Rama ditë më parë lajmëroi se një kapërcim i çmimit mbi 220 lekë/litër do të sjellë një ulje të akcizës me 20%. Aktualisht në taksat në karburant akciza arrin deri në 38.8 lekë për litër si për naftën dhe benzinën./TopChannel