Përkrahje nga Mallorca për Kosovën dhe kapitenin Vedat Muriqi

14:10 | 31 Mars 2026

Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Turqisë pritet të luajnë sonte (e martë) në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë, nga ora 20:45, në finalen e madhe për kualifikim për Kupën e Botës 2026.

Klubi spanjoll, Mallorca i ka dhënë mbështetje të plotë sulmuesit dhe kapitenit të Kosovës, Vedat Muriqi, përmes një postimi motivues në rrjetet sociale, duke e cilësuar atë “një hap larg Kupës së Botës”.

Ky reagim vjen në prag të përballjes shumë të rëndësishme që Kosova do ta zhvillojë sot ndaj Turqisë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Vedat Muriqi po bën një sezon shkëlqyes në Mallorca, teksa është bërë shpesh herë vendimtar për mbijetesën e ekipit në La Liga.

Sulmuesi kosovar ka shënuar 18 gola në kampionat këtë sezon, duke qenë golashënuesi kryesor i Mallorcas dhe një nga emrat më të shquar në ligë, që ndihmon klubin të qëndrojë jashtë zonës së rënies.

Përmes golave të tij, shpeshherë vendimtarë, Muriqi ka mbajtur “gjallë” shpresat e skuadrës për mbijetesë, ndërsa tifozët shpresojnë se ai mund të vazhdojë këtë formë edhe deri në fund të sezonit.

Muriqi është padyshim edhe një nga yjet më të mëdhenj të futbollit kosovar.

Si kapiten i Kosovës, ai ka treguar shpesh lidership dhe karakter të fortë në fushë, duke udhëhequr ekipin me golat dhe prezencën e tij fizike.

Përvoja e tij në klubet evropiane, i ka dhënë aftësi për t’u përballur me sfidat më të mëdha.

Komento: