Investimet kosovare pushtojnë Shqipërinë

16:35 | 06 Prill 2026
investimet-kosovare-pushtojne-shqiperine

Sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë, investimet nga Kosova kanë njohur rritje të ndjeshme, për 9-mujorin e vitit 2025 arritën në 153 milionë euro, me zgjerim prej 139% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Bizneset kosovare po zhvendosen në mënyrë masive drejt Shqipërisë, duke reflektuar një problem të thellë të klimës së biznesit në Kosovë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, flukset e investimeve nga Kosova kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke arritur 153 milionë euro për 9-mujorin e vitit 2025, me një zgjerim prej 139% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkruan gazetametro.

Stoku i përgjithshëm i investimeve ka arritur rreth 550 milionë euro, duke reflektuar një prirje të qartë drejt diversifikimit dhe zgjerimit të aktivitetit ekonomik jashtë Kosovës.

Ky fenomen është pasojë e një kombinimi faktorësh negativë në Kosovë, si pasiguri politike, mungesë e institucioneve funksionale, rritje e çmimeve të energjisë dhe vendime të papritura të qeverisë, që kanë krijuar një ambient të pasigurt për investitorët.

Pasiguria dhe rreziqet e lidhura me mjedisin institucional po ndikojnë drejtpërdrejt në zvogëlimin e kapitalit të brendshëm dhe ngadalësimin e zhvillimit ekonomik të vendit.

Në të njëjtën kohë, Shqipëria po përfiton nga kjo situatë.

Bizneset kosovare po investojnë fuqishëm në sektorë kyç si tregtia me pakicë, moda dhe shërbimet ushqimore, duke blerë kompani dhe rrjete ekzistuese dhe duke hapur dyqane të reja.

Transaksione të mëdha, si blerja e “SPAR Albania” nga kompania kosovare “Viva Fresh Store” me një vlerë 36.4 milionë euro dhe mbështetja financiare nga BERZH dhe ENEF II, tregojnë qartë se kapitali kosovar po përdoret për të zgjeruar aktivitetin ekonomik jashtë vendit të origjinës.

Investime të tjera në sektorin e restoranteve dhe të modës, si blerja e rrjetit KFC nga KAN apo “Fashion Group Albania” nga “Albi Holding”, po rrisin numrin e vendeve të punës dhe aktivitetin ekonomik në Shqipëri.

Agim Shahini, kryetar i aleancës kosovare të bizneseve e përshkruan situatën me tone alarmuese.

“Kosova gjatë vitit 2025 nuk ka pasur as Kuvend funksional dhe as Qeveri të qëndrueshme… ky është dështim i nivelit më të lartë. Importet kanë arritur në mbi 7 miliardë euro në vit, ndërsa prodhimi vendas po bie çdo muaj”.

Sipas tij, trendi i largimit të investitorëve është i qartë, fiks nga mos stabiliteti ekonomik.

“Po shohim një valë të qartë të largimit të kapitalit nga Kosova drejt vendeve fqinje, veçanërisht drejt Shqipërisë… kjo ndodh për shkak të mungesës së stabilitetit politik dhe kushteve për zhvillim”.

Kjo dinamikë pasqyron një fenomen shqetësues për Kosovën, ku largimi i kapitalit dhe eksperiencës afariste po dëmton zhvillimin e brendshëm dhe po pengon krijimin e vendeve të punës dhe të ardhurave shtesë.

Ndërsa Shqipëria regjistron rritje të të hyrave dhe zgjerim të investimeve, Kosova përballet me humbje ekonomike dhe përshkallëzim të varfërisë për shkak të pasigurisë dhe klimës së vështirë për biznes.

Komento: