Të shtëna me armë në një lokal në Pejë – i dyshuari godet klientët dhe ikën

23:05 | 08 Prill 2026

Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur në Pejë, ku një person dyshohet se ka shtënë me armë brenda një lokali dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Ngjarja ka ndodhur më 8 prill 2026, rreth orës 00:00, në rrugën “Selmon Lajqi”, ku sipas informacioneve, i dyshuari Valon Gashi është përfshirë në një konflikt me disa persona që ndodheshin në lokal.

Sipas dëshmive, përplasja ka nisur pasi viktima J. K. me shoqëruesit e tij kanë kërkuar të shërbehen, ndërsa i dyshuari u ka kërkuar me agresivitet të largohen nga lokali. Situata ka eskaluar në fjalosje, ku i dyshuari ka nxjerrë armën dhe ka shkrepur një plumb, i cili ka kaluar mbi kokën e viktimës, pa e lënduar.

Dëshmitarët kanë deklaruar se i dyshuari ka kanosur të pranishmit, ndërsa më pas ka goditur viktimën me dorezë të armës në kokë, si dhe një person tjetër me shishe birre, duke i shkaktuar lëndime.

Para largimit, ai ka dëmtuar xhamat dhe derën e lokalit, ndërsa në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë.

Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa njësitë policore dhe krim-teknika kanë dalë në vendngjarje për ekzaminim.

Me udhëzim të prokurorit, rasti është iniciuar për disa vepra penale:

“Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Mbajtje e paautorizuar e armës”, “Kanosje”, “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

I dyshuari ndodhet ende në arrati, ndërsa Policia është në kërkim të tij./Sinjali

Komento: