Vedat Muriqi hap zemrën: Lotët ndaj Real Madridit më dolën vetë, e mendova pensionimin nga Kosova

22:46 | 09 Prill 2026

Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi, ka ndarë mendimet e tij më të sinqerta për të ardhmen me kombëtaren e Kosovës, si dhe emocionet e forta që përjetoi pas golit dramatik ndaj Real Madridit.

Ylli i Mallorcës ka zbuluar se kishte një plan të qartë për karrierën e tij ndërkombëtare, por tani gjithçka mbetet e hapur.

“Plani ishte të luaja në Kupën e Botës dhe pastaj të tërhiqesha. I thashë presidentit dhe trajnerit për vendimin tim”, ka thënë fillimisht Muriqi.

Megjithatë, ai theksoi se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar dhe po përpiqet të fokusohet te detyrat aktuale me klubin.

“Nuk e kam menduar, po përpiqem të mos e bëj sepse dua të përqendrohem në atë që ka mbetur me Mallorcën”.

“Më vonë do të kem kohë të mendoj për këtë. Nuk kam vendosur asgjë. E kam diskutuar me gruan dhe familjen time dhe duhet ta peshoj. Nuk kam marrë ende një vendim”.

The Guardian: Pirati i Mallorcas lë pas dhimbjen e Kosovës për të tronditur Real Madridin

Ndërkohë, momenti më emocional për të erdhi pas golit të shënuar në minutën e 91-të kundër Real Madrid, për të cilin foli në një intervistë për “La Zona 10”.

“Shpërtheva. Nisa të vrapoja drejt flamurit të këndit dhe fillova të ndihesha ndryshe. Lotët nisën të më rridhnin. Nuk doja që emocionet e mia për Kosovën ta dëmtonin Mallorcan”, përfundoi ai.

Komento: