
Një sulm i armatosur me elemente të qarta të atentatit është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në magjistralen Prishtinë–Ferizaj, pranë Çagllavicës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:20, përball një autosalloni, rreth 500 metra nga rrethi i Çagllavicës.
Siç mëson Sinjali, viktima Agim Dervishaj (48-vjeçar) ka deklaruar se derisa po lëvizte me veturë në drejtim të Ferizajt, një automjet i tipit Golf 6, ngjyrë e zezë dhe me targa të panjohura, i është afruar dhe ka shtënë me armë nga lëvizja drejtpërdrejt në drejtim të tij.
Plumbat kanë goditur veturën në pjesën e majtë të pasme, ndërsa rrethanat e sulmit ngrenë dyshime serioze se viktima ka qenë e shënjestruar.
Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë ndërhyrë hetuesi kujdestar, krim tekniku dhe njësitë e krimeve të rënda.
Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja, ndërsa është sekuestruar edhe vetura e viktimës si provë materiale, e cila ndodhet në Stacionin Policor “Jugu”.
Me urdhër të prokurorit për krime të rënda, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”, ndërsa autorët janë në arrati.
Hetimet janë në zhvillim për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të motivit të këtij sulmi të dyshuar të planifikuar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.