Kush do ta zëvendësojë Gattuson? Tre emra favorit për stolin e Italisë

09:30 | 14 Prill 2026

Futbolli italian po kalon një periudhë të trazuar, e cila u thellua edhe më shumë pas humbjes së përfaqësueses kundër Bosnjë e Hercegovinës në finalen e “play-off”-it për kualifikim në Kampionatin Botëror të kësaj vere.

Mediet italiane prej kohësh po spekulojnë me emrat e mundshëm për pasardhësin e Gennaro Gattuso në stolin e kombëtares.

Tre emrat më të përfolur janë Antonio Conte, Massimiliano Allegri dhe Roberto Mancini.

Sipas raportimit të Gazzetta dello Sport, aktualisht favorit është Conte, trajneri i Napolit, i cili tashmë ka lënë të kuptohet se ideja për t’u rikthyer në krye të “Azzurrëve” e tërheq shumë.

Nga ana tjetër, Allegri është i fokusuar te Milani, ku kërkon përforcime cilësore për të synuar titullin në sezonin e ardhshëm.

Megjithatë, në rast se klubi nuk përmbush pritshmëritë e tij në afatin kalimtar, një ndarje mes palëve mbetet e mundshme.

Ndërkohë, Mancini konsiderohet si alternativa e tretë në këtë garë, por jo pa shanse.

Ai pritet të lirohet nga kontrata me klubin katari Al Sadd në javët në vijim dhe të dalë në treg si trajner i lirë.

Megjithatë, koha nuk është në anën e tij, zgjedhjet për presidentin e Federatës Italiane të Futbollit janë caktuar për më 22 qershor, dhe deri atëherë pritet të jenë më të qarta edhe planet e Contes dhe Allegrit, rreth një muaj pas përfundimit të sezonit.

Sipas burimeve të njëjta, trajneri i ri i Italisë mund të nënshkruajë një kontratë dyvjeçare, me opsion zgjatjeje automatike edhe për dy vite të tjera nëse sigurohet kualifikimi në Euro 2028.

Objektivi kryesor i Italisë mbetet shmangia e një tjetër dështimi historik, mungesa në një Kampionat Botëror për herë të katërt radhazi, në vitin 2030.

Komento: