Komisioni për Ekonomi miraton në parim Projektligjin për Energjinë Elektrike

13:10 | 15 Prill 2026
komisioni-per-ekonomi-miraton-ne-parim-projektligjin-per-energjine-elektrike

Me shtatë vota për, Komisioni për Ekonomi ka miratuar në parim Projektligjin për Energjinë Elektrike. Mbledhja u shoqërua me debate mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, prezantoi projektligjin dhe dobitë e tij.

“Projektligji për energjinë elektrike që po prezantojmë sot para jush e avancon kornizën ligjore të sektorit të energjisë në Republikën e Kosovës, duke i përcaktuar në mënyrë më të qartë dhe më të drejtë të drejtat dhe detyrimet e të gjithë pjesëmarrësve në treg, si dhe duke forcuar bazën për një sistem të qëndrueshëm, konkurrues dhe të orientuar drejt tregut. Projektligji e ruan strukturën bazë të ligjit ekzistues, mirëpo zgjerohet më tej në adresimin e zhvillimeve të fundit në tregun e energjisë, integrimin e tij, digjitalizimin dhe tranzicionin energjetik. Së bashku me projektligjin për energjinë që prezantuam dje dhe me projektligjin për rregullatorin që do ta sjellim në Kuvend gjatë këtij viti, përafrohet legjislacioni ynë me kërkesat e pakos së energjisë së pastër të Bashkimit Evropian, duke kaluar nga modeli aktual drejt një kuadri modern, të harmonizuar me Direktivën 2019/944, Rregulloren 2019/943, si dhe Rregulloret 2019/941 dhe 2019/942. Qëllimi kryesor është që të sigurohet furnizim i qëndrueshëm, cilësor dhe çmime të përballueshme për konsumatorët”, tha Rizvanolli.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, tha se sistemi energjetik i vendit, që nga prodhimi, transmetimi dhe shpërndarja, po shkon kah centralizimi absolut.

“Unë e dëgjova prezantimin e ministres që na e solli ligjin e dytë brenda dy ditësh, një ligj jashtëzakonisht voluminoz, i përshkruar me qindra nene, por që me këtë dinamikë e vetmja arsye që u mundua ministrja të na thotë është që janë nëntë milionë euro donacione që mund t’i përfitojnë. Konsideroj, ministre, që për nëntë milionë euro Republika e Kosovës nuk duhet të prekë substancën e bazës energjetike dhe të legjislacionit në këtë fushë pa ndonjë analizë të mirëfilltë dhe pa ndonjë debat më afatgjatë kohor. Ne këtë nuk e kemi parë dje as sot dhe, mbi të gjitha, sot po e shohim që definitivisht ky ligj po e vërteton atë që thashë dje, që sistemi energjetik i vendit, që nga prodhimi, transmetimi dhe shpërndarja, po shkon kah centralizimi absolut dhe, mbi të gjitha, është shqetësues sistemi i kontrollit. Edhe dje e sot, në asnjërin nga ligjet nuk shohim sistem të mirë të kontrollit të pavarur, por shohim centralizim ekstrem të ekzekutivit mbi sektorin energjetik. Tendencë që e kemi parë moti, por tani po i jepet një vulë edhe me legjislacion”, tha ai.

Ai gjithashtu përmendi ministrin e Infrastrukturës, Dimal Basha, dhe shtoi se KOSTT-i po shkatërrohet nga pushteti.

“Pse ju po ia shkruani ligjin Dimal Bashës? Pse nuk ka kosto financiare ligji? Pse nuk ka analizë? Pse duhet të kalojë KOSTT-i sot? Dëgjoni, po e shkatërroni KOSTT-in. Nëse është interes biznesor i ngushtë me i kap edhe bateritë, në rregull. Nëse është interes i ngushtë…”, tha Shala.

Derisa Shala pati akuza, pati ndërhyrje nga kryetarja  e Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Rozeta Hajdari.

“Zotëri Shala, të lutem kontribuo për ligjin, sepse sot është në shqyrtim. Je duke bërë sulme politike pa nevojë. Të lutem, kontribuo për ligjin”, tha ajo.

Ministrja Rizvanolli, duke i reaguar deputetit Shala, ia përmendi mënyrën e qeverisjes në kohën e PDK-së.

“I nderuar deputet, zgjidhja që e keni bërë kur e keni vendosur KOSTT-in të raportojë në Kuvend është zgjidhje sui generis, që në asnjë vend tjetër në BE e as në botë nuk e kam parë. Ka përfunduar Kuvendi duke votuar 61 deputetë, duke e ngritur dorën për çështje operacionale të një ndërmarrjeje. Kjo nuk është në asnjë vend tjetër; është bërë në Kosovë si rezultat i nevojës për zbatimin e direktivave të BE-së, duke mos ditur, prej mungesës së njohurive dhe mungesës së angazhimit për të gjetur zgjidhje të duhur, që të mbetet brenda mbikëqyrjes së qeverisë, ka përfunduar në Kuvend”, tha Rizvanolli.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, i reagoi deputetit Shala.

Ai tha se e drejta e qeverisë është që të bëjë politikat dhe ligjet në shërbim të qytetarëve.

“Mendoj që kolegu Shala nga opozita fillimisht duhet të fillojë me një qasje të këndvështrimit të tij politik për sektorin dhe mbi çështjet që parasheh ligji, mirëpo më pas tejkaloi edhe gjuhën parlamentare dhe gjuhën kolegjiale dhe filloi me akuza. Unë nuk mendoj që ka nevojë për akuza, sepse mendoj se sillet një ligj nga një ministri e qeverisë që është votuar nga qytetarët me 51.1 për qind në zgjedhje dhe është e drejtë e kësaj qeverie që të bëjë politikat dhe ligjet siç ajo mendon që mund t’u shërbejë qytetarëve të vendit”, tha Hyseni.

Komento: