
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Kosova duhet të ketë president që nuk është nga LVV-ja.
Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Hoti ka shkruar se presidenti duhet të jetë një person me integritet të lartë personal, akademik e shoqëror, që ka prioritet kushtetutshmërinë, që nuk e ka hallin se a propozohet sërish për mandatin tjetër.
Postimi i tij i plotë:
Kosova duhet të ketë president që nuk është nga LVV-ja, një person me integritet të lartë personal, akademik e shoqëror, që ka prioritet kushtetutshmërinë, që nuk e ka hallin se a propozohet sërish për mandatin tjetër.
Vetëm kështu sigurohet balanca e pushteteve dhe evitohet koncentrimi i pushtetit tek një person i vetëm.
E kemi parë se çfarë ka ndodhur në pesë vitet e fundit, kur një person ka kontrolluar gjithçka:
– Shumë ligje kundërkushtetuese janë nënshkruar nga Presidentja pa asnjë vërejtje, edhe pse dihej qartë se ishin në kundërshtim me Kushtetutës. Kushtetuta ia jep të drejtën Presidentit që ligjet e tilla t’ia kthejë Kuvendit për rishqyrtim, por kjo e drejtë asnjëherë nuk është vënë në përdorim. Arsyet besoj janë të qarta.
– Ka ndodhur shkarkimi arbitrar i Kryesueses së KQZ-së nga Presidentja në fillim të mandatit.
– Kosova ka mbetur pa Kryeprokuror për vite të tëra. Arsyeja: tre krerët e shtetit nuk e donin një emër të përveçëm, megjithëse nuk kishin asnjë bazë ligjore për të kundërshtuar atë.
– AKI-ja ka kryer veprime, sipas raportimeve publike, për të cilat nuk është thirrur në përgjegjësi nga Presidenca. Këto veprime që kanë cenuar besueshmërinë në këtë institucion vital të shtetit.
– Mediat dhe bizneset janë sulmuar në vazhdimësi nga pushteti. Presidentja ka heshtur.
– Edhe data e zgjedhjeve është caktuar sipas kërkesës së një partie politike. Këtë e ka deklaruar vetë Presidentja në përpjekjen e saj për të fituar mbështetjen për mandatin e dytë.
Ndryshe, duhet të shkojmë në zgjedhje.