
Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci ka deklaruar se Serbia vazhdon të mos japë përgjigje për fatin e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se mungon edhe një kërkimfalje për krimet e kryera.
Këto komente ai i bëri gjatë një aktiviteti përkujtimor në Mitrovicë, ku u nderuan 104 qytetarë shqiptarë të zhdukur gjatë luftës së fundit. Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Shoqata e të Pagjeturve Zëri i Prindërve.
“Sot, përkujtuam 104 qytetarë shqiptarë të pagjetur nga Komuna e Mitrovicës, të zhdukur gjatë luftës së fundit nga okupatori famëkeq serb, së bashku me Shoqatën e të Pagjeturve “Zëri i Prindërve”. 104 karrige të zbrazëta, 104 emra për fatin e të cilëve akoma nuk dihet asgjë, 104 trëndafila të bardhë që simbolizojnë pafajësinë e popullit tonë, shënuam këtë datë për të mos lejuar që harresa të mbulojë dhimbjen dhe të vërtetën”, tha Peci.
Pjesëmarrësit marshuan nga oborri i gjimnazit drejt lagjes së boshnjakëve, ku ndodhet një shtëpi e njohur si vend i një masakre gjatë luftës, ku u vranë 23 civilë shqiptarë. Aty u vendosën lule në nderim të viktimave.
Peci bëri thirrje për drejtësi për të pagjeturit dhe nderim të përhershëm për të rënët, duke theksuar se zbardhja e fatit të tyre mbetet një nga plagët më të mëdha të pasluftës në Kosovë.