
Dy raste të ndara janë raportuar në Ferizaj, ku Policia ka konfiskuar gjithsej tri armë zjarri dhe ka iniciuar procedura penale ndaj të dyshuarve për armëmbajtje pa leje dhe kanosje.
“Më datën 13.04.2026, rreth orës 21:20, bazuar në informacione të siguruara nga hetuesit e Njësitit të Hetimeve Rajonale në DRP-Ferizaj, është identifikuar i dyshuari G.R. (47 vjeç), nën dyshimin për posedim të kundërligjshëm të armës së zjarrit.Pas kontaktit nga policia, i dyshuari ka pranuar se posedonte një armë zjarri në banesën e tij dhe ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim. Më pas, gjatë kontrollit të realizuar në banesën e tij në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë.I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku në prani të avokatit mbrojtës është intervistuar dhe me autorizim të prokurorit të shtetit, është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, në procedurë të rregullt.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq, më 15 prill 2026, rreth orës 18:50, policia ka ndërhyrë në një rast tjetër në fshatin Nekodim, pas raportimit për një mosmarrëveshje mes dy personave. Në vendin e ngjarjes është konstatuar një konflikt verbal mes P.R., 35 vjeç dhe M.R., 43 vjeç, ku ky i fundit ka deklaruar se ishte kanosur.
“Më datën 15.04.2026, rreth orës 18:50, stacioni policor në Ferizaj ka pranuar informatën për një mosmarrëveshje mes dy personave në fshatin Nekodim, rruga “Riza Matoshi”.Njësitet reaguese kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar se bëhej fjalë për një konflikt verbal mes P.R. (35 vjeç) dhe M.R. (43 vjeç).”, thuhet në raport.
Të dy personat janë shoqëruar në stacion policor, ndërsa rasti është trajtuar nga Njësiti i Hetimeve. Gjatë trajtimit është konfirmuar se i dëmtuari M.R. ishte kanosur nga i dyshuari P.R.
Gjatë intervistimit, i dyshuari ka pranuar se posedon armë zjarri në shtëpinë e tij në fshatin Nekodim. Me autorizim të prokurorit të shtetit, është realizuar kontroll, me ç’rast janë sekuestruar një pushkë gjahu, një pistoletë me dy karikatorë dhe një sasi municioni.
Ndaj të dyshuarit P.R është iniciuar rasti për veprën penale “Kanosja”, në procedurë të rregullt.”, thuhet në raportin e policisë.
Njësiti i Hetimeve do të vazhdojë me verifikimin e dokumentacionit për armët e sekuestruara, ndërsa rasti mbetet në fazën e hetimeve.
Policia ka bërë të ditur se hetimet lidhur me këto raste janë në vazhdim, përfshirë edhe verifikimin e dokumentacionit për armët e konfiskuara.