Nga Suhareka deputet në Zvicër, Arbër Bullakaj në takim me Kurtin flet për integrimin dhe sukseset e mërgatës

13:55 | 16 Prill 2026
nga-suhareka-deputet-ne-zvicer,-arber-bullakaj-ne-takim-me-kurtin-flet-per-integrimin-dhe-sukseset-e-mergates

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim deputetin e ardhshëm zviceran me origjinë shqiptare, Arbër Bullakaj, i cili pritet të nisë mandatin në fund të këtij muaji.

Kryeministri Kurti e falënderoi Bullakajn për vizitën dhe e uroi për zgjedhjen deputet në parlamentin federal të Zvicrës, duke u bërë vetëm personi i dytë me rrënjë nga Kosova, pas deputetit Islam Alijaj, që fiton mandatin në këtë institucion.

Në njoftimin e Kryeministrisë bëhet e ditur se Arbër Bullakaj është me origjinë nga Suhareka, i zhvendosur në Zvicër në vitet e ’90-ta.

Arbër Bullakaj është aktiv në politikën zvicerane për më shumë se 20 vjet.

Ai është anëtar Këshillit federal të Partisë Socialdemokrate (SP), president i SP Migrante në kantonin e St. Gallen dhe kryetar i Komitetit të Iniciativës Demokratike për reformën e shtetësisë zvicerane.

Kjo iniciativë, e cila mblodhi më shumë se 100 mijë nënshkrime të vlefshme dhe iu dorëzua parlamentit në nëntor të vitit 2024, kërkon lehtësime në procesin e fitimit të shtetësisë zvicerane.

Në takim u diskutua për integrimin dhe sukseset e mërgatës në Zvicër, si dhe për kontributin e çmuar dhe rolin e tyre në zhvillimin e Kosovës.

Siç thuhet në njoftim në kontekst të angazhimit politik, të dy diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit konkret, përfshirë avokimin për Kosovën dhe krijimin e urave lidhëse kulturore, politike si dhe ekonomike.

Komento: