1 muaj paraburgim për 4 të arrestuarit në rastin me rreth 18 kg heroinë në Ferizaj

17:05 | 16 Prill 2026
1-muaj-paraburgim-per-4-te-arrestuarit-ne-rastin-me-rreth-18-kg-heroine-ne-ferizaj

Është caktuar një muaj paraburgim për katër të arrestuarit lidhur me rastin me rreth 18 kilogramë heroinë në Ferizaj.

Kjo është bërë e ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e kësaj mase në çështjen penale ndaj të pandehurve A.D., M.B., S. Sh., dhe M.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar dhe veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A.D., M.B., S. Sh. dhe M.Sh, duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin”.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata tha se ka vlerësuar që caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje është masë adekuate pasi që, siç thuhet në njoftim, ekziston rrezik real që të pandehurit t’i shmangen procedurës penale dhe të mos i përgjigjen organeve të drejtësisë.

“Gjykata konsideron se natyra e veprave penale për të cilat të pandehurit dyshohen, mënyra e organizuar e kryerjes së tyre, shtrirja ndërkufitare e aktivitetit të dyshuar kriminal, sasia e madhe e lëndës narkotike të sekuestruar dhe fakti se hetimet janë ende në zhvillim dhe përfshijnë analizimin e provave materiale, tregojnë se asnjë masë më e butë nuk do të ishte e aftë të neutralizonte rreziqet konkrete që ekzistojnë në këtë fazë të procedurës”, thuhet në njoftim.

Komento: