
Organizatat e jo-qeveritare, Lëvizja FOL, IKD, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe juristja Flutura Kusari kanë nxjerrë një komunikatë të përbashkët pas monitorimit që i kanë bërë procesit të intervistimit të kandidatëve për Bord të RTK’së dhe kanë konstatuar se procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së është i komprometuar.
Në komunikatë thuhet se procesi nuk i plotëson as standardet minimale të vlerësimit.
“Pas monitorimit të procesit për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës vlerësojmë se ky proces është haptazi i komprometuar, i cili proces nuk plotëson standardet minimale përmes të cilit duhet të rekomandohen emrat e anëtarëve të Bordit të RTK-së. Mungesa e standardeve themelore të transparencës, barazisë dhe rregullsisë procedurale janë arsyet krysore të kompromentimit të këtij procesi. Prandaj, rekomandojmë që kandidatët e përzgjedhur nga Komisioni Ad Hoc të mos procedohen për votim në seancë plenare”, thuhet në reagim.
“Ne vlerësojmë se procesi ka dështuar për arsyet në vijim: insistimi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që ky proces të përmbyllej brenda një afati të shkurtër dhe koha e pamjaftueshme në dispozicion, organizimi i çrregullt si pasojë e presionit kohor, cenimi i trajtimit të barabartë të kandidatëve, metodologjia e paqartë dhe transparente sidomos me vendimin që poentimi i kandidatëve të mos bëhet pas secilës intervistë, si dhe shmangia nga standardet e vendosura në vitin 2021 gjatë procesit të rekrutimit të anëtarëve të Bordit të RTK-së”, vazhdon reagimi.