
Avokati i familjes së Liridona Ademajt, Leotrim Syla, ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit për vrasjen e saj, duke theksuar se provat dhe dëshmitë e administruara gjatë gjykimit dëshmojnë për një planifikim të gjatë dhe të organizuar të krimit.
Në fjalën përfundimtare, ai deklaroi se rasti është zbardhur përmes vetë deklarimeve të të akuzuarve, të cilët sipas tij kanë rënë në kundërshtim me njëri-tjetrin gjatë procesit gjyqësor.
“I nderuar trup gjykues, të pranishëm, sot flasim në emër të asaj që nuk është këtu, flasim në emër të fëmijëve të saj, të familjes së saj dhe në emër të gjithë popullit shqipfolës e përtej tij që ka bashkëndjerë me këtë rast. Që nga seanca e shqyrtimit fillestar e në secilën seancë, duke përfshirë edhe dhënien e mbrojtjes, është argumentuar ajo që kemi thënë në fillim se ky krim makabër do të zbardhet nga vetë të akuzuarit, qoftë duke akuzuar njëri-tjetrin ose në bashkëpunim”, tha ai.
Ai shtoi se provat, përfshirë video-incizimet, kanë qenë kyçe për të dokumentuar takimet dhe komunikimet mes të akuzuarve.
“Kemi qenë me fat që kemi pas një ekip hetuesish policor aq punëtor që përmes video-incizimeve na kanë mundësuar të kemi gjithë pamjen e takimeve të tyre”, tha ai.
Sipas Sylës, ky rast dallon nga rastet e tjera për shkak të planifikimit të gjatë dhe përfshirjes së disa personave në organizimin e vrasjes.
Në përfundim, ai theksoi se duke pasur parasysh peshën e krimit dhe organizimin e tij, dënimi maksimal është i vetmi i pranueshëm.
“Nuk ka pasur asnjëherë raste të ngjashëm ku ndryshe nga rastet e tjera ku në një nervozë momentale është vrarë një grua, veç kurrë s’kemi pasë rast ku tre burra një vit planifikojnë me vrarë një grua e mandej mundohen të tre me u shfajësuar se kush, si, e qysh e ka bërë.
Në këtë fjalë përfundimtare e cila ka mbi 30 faqe është e pamundur me elaboru këtu para jush të tërën, por që qoftë nga elaborimi i të gjitha dëshmive e të pjesëve të procesverbaleve ku vetë të akuzuarit e kanë treguar se çfarë kanë bërë, e kanë rënë në kundërshtim me veten e tyre e me njëri-tjetrin, është argumentuar se bashkërisht si grup i organizuar që ka punuar së paku për një vit bashkë, e kanë organizuar këtë vrasje e që nëse për vrasje të tjera është shqiptuar ndonjëherë dënimi me burgim të përjetshëm si dënimi maksimal, nuk kemi dënim më të madh, kështu që s’kemi çfarë të japim më pak se dënimi me burgim të përjetshëm”, tha ai.