Prapaskenat e takimeve Kurti-Abdixhiku, Haziri: LDK insiston te presidenti

12:50 | 18 Prill 2026
prapaskenat-e-takimeve-kurti-abdixhiku,-haziri:-ldk-insiston-te-presidenti

Lidhja Demokratike e Kosovës ka plot emra që mund t’i propozojë për president të Kosovës, nëse për këtë temë ka një pajtim mes partisë që ka kryetar Lumir Abdixhikun dhe Vetëvendosjes së Albin Kurtit.

Por, sipas nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, ky subjekt nuk do të propozojë kurrkënd, përderisa nuk ka ose nuk bëhet publike një ujdi dypalëshe.

Ish-kryetari i Gjilanit, emri i të cili po ashtu është përmendur si kandidat i mundshëm për president të shtetit, tha se LDK nuk ka votë për të propozuarit e Vetëvendosje, teksa shton se janë shterur edhe mundësitë për një emër konsensual që do të përfshinte të gjitha partitë.

Në një intervistë për KosovaPress, Haziri i cilësoi lojë fjalësh dhe përpjekje për të krijuar “fajtorë publikë” në rast dështimi, thirrjet publike të Vetëvendosjes drejtuar opozitës për të propozuar një emër për president

“Nëse flasim për një emër konsensual, tashmë po shihet që u shterën të gjitha mundësitë që Kosovës me i dhënë një mundësi përmes një emri konsensual i cili i përfshin të gjitha partitë politike dhe të gjitha grupet etnike eventualisht. Në këtë fazë po flitet për, natyrisht për një marrëveshje LDK-LVV. Ky është i vetmja angazhim politik që LDK-ja e ka në raport me LVV-në për të gjetur mundësinë më të mirë për zgjedhjen e presidentit të Republikës. Marrëveshja LDK-LVV bën fjalë për marrëveshje LDK-LVV, nuk bën përtej neve. Ne nuk jemi duke dalë me bë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për me i dhënë emër edhe mundësi dikujt tjetër. Ne jemi të ftuar për me gjet mundësi që me dhënë emrin për president. Ne jemi ftuar. Nuk i kemi ftuar ne në takim kërkënd. Ne jemi të ftuar dhe ne kemi marrë pjesë në çdo takim dhe jemi duke marrë pjesë në çdo takim. Unë uroj që kjo vonesë në zgjedhjen e presidentit të kalojë sa më shpejt në mënyrë që me u pa së paku a po shkon vendi prapë në zgjedhje, sepse këto zgjedhje janë paralajmërim edhe i zgjedhjeve të tjera”, thotë ai.

Sipas tij, LDK-ja këmbëngul që në takimet e shefit të saj me Kurtin duhet të flitet për të gjetur një zgjidhje në lidhje me ngërçin për presidentit, në të cilën partia e tij luan rol qendror.

Haziri la të kuptohet se në këto negociata, pos çështjes së presidentit, kooperimi me Vetëvendosjen duhet të zgjerohet edhe për bashkëqeverisje

“Është përgjegjësia jonë kë e propozojmë, si e propozojmë, çka përfaqësojmë. Se ne së paku kemi dëshmuar në jetë politike që propozimet tona janë kredibile, janë përfaqësuese, edhe mbi të gjitha janë autoritete që i bëjnë nder vendit dhe Republikës. Në anën tjetër, ne kemi parë këto pesë vite dhe politikën që janë bërë, angazhimet rreth zhvillimeve politike që kanë ndodhur. Sepse nuk po flasim tash që zoti Kurti ka me i pas tri institucionet. Zoti Kurti i ka pas tri institucionet deri tash. Dhe është dëshmuar që një njeri dhe një parti është i pamjaftueshëm me përballë agjenda çfarë i ka Republika dhe agjenda çfarë ka zhvillimi rajonal tash. Qoftë ai, edhe zoti Kurti, qoftë edhe kushdo tjetër, nuk mundet me u përballë, kështu që duhet me u zgjeruar bashkëpunimi, qoftë për procese politike, qoftë edhe për bashkëqeverisje. Sepse nëse nuk merresh vesh për bashkëqeverisje, eventualisht duhet me u marrë vesh për procese politike. Ne nuk jemi ftuar për bashkëqeverisje”, shton ai.

Haziri tha se në takimet e deritashme Kurti-Abdixhiku, i pari nuk i ka kërkuar të dytit të propozojë ndonjë kandidat për president. Sipas tij, një gjë e tillë do të bëhet vetëm nëse arrihet marrëveshja në parim me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Pse s’kemi biseduar asnjëherë për një emër? Neve nuk është kërkuar emër. Në asnjë takim ne s’kemi folur për emër konkret. Jo, kjo është lojë e fjalëve, vëlla. Kjo është lojë e fjalëve, me dalë me thënë opozita le të dalë me një propozim, ne e kemi një propozim tjetër, kush po… Po e tërheq, po është edhe një propozim tjetër. Kjo është loja e fjalëve në politikë. Kjo është hap edhe angazhim me bë fajtor publik në Kosovë. Nuk është zgjidhje. Nuk ka nevojë Kosova me pas lojë fjalësh. Nëse ka vullnet politik me bë zgjidhje politike duhet me u ul, me një, dy, tre, katër apo pesë partnerë me i zgjidh problemet. Për momentin zgjidhja është me një, vetëm LDK-ja. Nuk janë dy, nuk janë tre, nuk janë katër. Edhe në këtë rast nuk është mirë me bë lojë fjalësh, me dalë me thënë ‘dilni ju opozita propozoni’”, thekson Haziri.

Pyetjes se a është Lumir Abdixhiku kandidati potencial i LDK-së për president, Haziri iu përgjigj duke thënë se në LDK është kulturë politike që proceseve t’u prijë kryetari.

“Në detyrë zyrtare dhe sipas përfaqësimit, kryetari i LDK-së është përfaqësuesi më i lartë i LDK-së. Kur flitet për çështje dhe për vendime të tilla, unë si njëri prej nënkryetarëve ose kolegët e mi në kryesi, ose të gjithë ata që përfaqësojnë sot diçka, janë ata që bisedojnë për përfaqësimin përmes kryetarit të LDK-së. Te ne është kulturë politike. Por nuk është ende në nivel ose nuk kemi ardhur në kohë kur ne bisedojmë për një emër. Kur të mblidhemi dhe të themi kemi një marrëveshje, marrëveshja e kërkon këtë rol tonin dhe ne po hyjmë. Zakonisht ne kujdesemi shumë që të mos lakojmë emra të përveçëm para se me ndodh diçka. Marrëveshje nuk ka, ne duhet, ne jemi të vetëdijshëm, ne synojmë të mundshmen. E mundshmja është vetëm nëse arrihet një marrëveshje. Nëse nuk ka marrëveshje atëherë pse duhet me laku emra”, deklaron ai.

Nënkryetari i LDK-së mohoi që në bisedimet Abdixhiku-Kurti u diskutuan edhe skenarë tjerë që implikojnë pozitën e kryeparlamentarit. Sipas tij, nëse hyhet në këto negociata, atëherë vihet në lojë edhe posti i kryeministrit.

“Ne nuk kemi zhvilluar bisedime për me e ndërru përfaqësimin, me ndërru krejt gjeopolitikën, Kuvendin, presidentin, qeverinë eventualisht. Pse jo qeveria nëse Kuvendi mund të ‘hapet’? Përfshi edhe postin e kryeministrit? Po natyrisht, kur hyn në bisedime të tilla edhe për çështje të presidentit e jep Kuvendin, atëherë mundet edhe qeveria me u dhënë, kështu që janë çështje që mos me bë edhe unë tash lojë fjalësh, por roli ynë është në bisedime për presidentin e Republikës dhe Kuvendi duhet me i dhënë zgjidhje”, shton ai.

Ai deklaron se LDK-ja nuk po angazhohet për zgjedhje të reja, derisa tregon se a mund të jenë zgjidhje ato.

“Ne nuk mundemi me dy standarde. Ose jemi në bisedime me i dhënë vendit president, ose nuk jemi në bisedime. Me vetë faktin që LDK-ja është në bisedime me i dhënë vendit president, nuk punon për zgjedhje. Ne nuk jemi duke punuar për zgjedhje. Ne jemi duke punuar me i dhënë vendit zgjidhje. Deri në pikën kur arrihet dakordimi ose mosdakordimi. Po situata nuk mund të paragjykohet. Mund të ketë ndryshime të mëdha. Bota po ndryshon, nuk po ndryshon vetëm në kuptim negativ. E shihni goditjen edhe lëvizjen qytetare në Hungari. E ka me pas, ka me pas zhvillime dhe impakt jashtëzakonisht të madh, sepse rrymat pro-evropiane edhe partitë e qendrës së djathtë, edhe ato liberale në veçanti po fitojnë terren më shumë”, u shpreh nënkryetari LDK-së, Lutfi Haziri.

Komento: