
Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, konkretisht Njësinë Anti-Drogë në Pejë, kanë dhënë detaje nga aksioni në fshatin Jabllanicë e Vogël, të Pejës.
Gjatë këtij aksioni është zbuluar dhe shkatërruar një laborator për prodhimin e narkotikëve të llojit Kanabis sativa.
Në kuadër të operacionit anti-drogë të planit operativë “Stop drogave” janë sekuestruar gjithsej 91 bimë narkotike të llojit Kanabis sativa, pajisje të sofistikuara për prodhimin e narkotikëve, një armë zjarri, si dhe është konstatuar kyçje ilegale në rrjetin elektrik për funksionimin e këtyre pajisjeve në kuadër të veprimtarisë së kundërligjshme.
Policia e Kosovës gjatë aksionit ka arrestuar një person të dyshuar, i cili me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë.
Po ashtu, me autorizim të prokurorit të shtetit, njësitet përkatëse policore kanë sekuestruar dhe më pas asgjësuar 91 bimët narkotike, ndërsa provat e tjera të sekuestruara do të shërbejnë në procedurën penale.
Prokurori i shtetit, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurën penale.
Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, deklarojnë se mbeten të përkushtuara në luftimin e kriminalitetit dhe në vënien para drejtësisë të të gjithë personave që kryejnë vepra penale.