
Një thirrje të re për paqe në Lindjen e Mesme ka bërë Papa Leoni gjatë një meshe të mbajtur në Angola, ku morën pjesë rreth 100 mijë besimtarë.
Pontifiku i parë amerikan vlerësoi armëpushimin mes Izraelit dhe Libanit, që ka sjellë ndërprerjen e përkohshme të përplasjeve mes forcave izraelite dhe Hezbollahut të mbështetur nga Irani, duke e cilësuar atë si një “arsye për shpresë”.
“U bëj thirrje të gjithë atyre që punojnë për një zgjidhje diplomatike të vazhdojnë përpjekjet dhe bisedimet e paqes, në mënyrë që ndërprerja e armiqësive në të gjithë Lindjen e Mesme të bëhet e përhershme”, deklaroi ai.
Papa Leoni u ndal gjithashtu edhe te lufta në Ukrainë, duke dënuar përshkallëzimin e konfliktit dhe duke kërkuar që “armët të heshtin dhe të ndiqet rruga e dialogut”. /Panorama