Ardian Gjini largohet nga kreu i AAK’së në Gjakovë, Flamur Fetahaj votohet si kryetar i ri

20:05 | 19 Prill 2026
ardian-gjini-largohet-nga-kreu-i-aak’se-ne-gjakove,-flamur-fetahaj-votohet-si-kryetar-i-ri

Flamur Fetahaj është zgjedhur kryetar i degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Gjakovë, pozitë kjo që mbahej deri më tani nga Ardian Gjini, kryetar aktual i kësaj komune.

Haradinaj ka njoftuar për një vendim të tillë, të marrë pas kuvendit zgjedhor të dhjetë të degës në Gjakovë. Gjini synon që të marrë drejtimin e AAK’së, pasi që Ramush Haradinaj ka bërë të ditur më herët se nuk do të garojë më për kryetar partie.

“Gjakova e dijes, kulturës dhe atdhedashurisë, për shumë mandate ia besoi Aleancës udhëheqjen me komunën. Nën drejtimin e kryetarit Ardian Gjini, një prej më të vlerësuarve në qeverisje lokale, Gjakova ka fituar dinjitetin e një qyteti që zhvillohet me punë, me përkushtim dhe me rezultate konkrete. Investimet e shumta, projektet transformuese dhe qasja e drejtë ndaj çdo qytetari e kanë kthyer këtë qytet në një model të mirëqeverisjes lokale dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, thuhet në shkrimin e Haradinajn.

“Përgëzoj për zgjedhjen si kryetar i Degës, Flamur Fetahajn, aktualisht nënkryetar i komunës, një kuadër i dëshmuar dhe i përkushtuar, i cili shquhet për angazhimin dhe shërbimin e tij ndaj qytetarëve të Gjakovës. Mirënjohje ndaj kryetarit të deritanishëm të Degës, Ardian Gjini dhe strukturave që ndër vite kanë dhënë kontribut të çmuar që Aleanca të jetë forca e parë politike në Gjakovë. Kryetarit të sapozgjedhur, Flamur Fetahaj, si dhe të gjitha strukturave të reja të zgjedhura nga ky Kuvend, ju uroj mbarëvajtje dhe suksese në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të marra”, përmbyllet shkrimi. /Insajderi.org/

Komento: