I akuzuari i dytë për sulmin terrorist në Banjskë: Nuk e kam ditur se çka do të ndodhë atë ditë

15:15 | 20 Prill 2026
i-akuzuari-i-dyte-per-sulmin-terrorist-ne-banjske:-nuk-e-kam-ditur-se-cka-do-te-ndodhe-ate-dite

Gjykim ndaj të akuzuarve në rastin e slumit terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, po vazhdon me dhënien e fjalëve përfundimtare nga i akuzuari Vlladimir Toliq.

Në këtë rast të akuzuar janë Blagoje Spasojeviq, Dushan Maksimoviq dhe Vladimir Toliq që gjenden në masën e paraburgimit.

Në sesionin e paradites të datës 20.04.2026 fjalën e tij përfundimtare e ka dhënë i akuzuari i parë, Blagoje Spasojeviq. Më 15.04.2026 Prokuroria Speciale dhe avokatët e të dëmtuarve kishin paraqitur fjalët përfundimtare ku kishin kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit.

Fjalën përfundimtare lidhur me këtë rast e ka dhënë edhe i akuzuari Vlladimit Toliq me avokatin e tij Millosh Deleviq.

I akuzuari Toliq ka thënë se ka qenë në Banjskë ditën e sulmit, por që sipas tij nuk është e vërtetë ajo që thuhet në aktakuzë.Sipas të akuzuarit, nuk ka pasur dijeni se çfarë do të ndodhë atë ditë pasi nuk i është thënë nga askush se ku po shkojnë.

“Jam çuditur kur jemi gjendur në fshatin Banjskë.”- ka deklaruar vetë i akuzuari.

Tutje Toliq ka thënë se nuk ka mundur të supozoj se do të vjen një tragjedi dhe se nuk ka pasur dëshirë që të jetë aty lere më që të shkaktoj dhunë.

“Unë nuk e kam ditur se çka do të ndodhë atë ditë, çka jam nisur verbërisht, sepse askush nuk më ka thënë ku po shkojmë edhe vetë jam çuditur kur jemi gjendur në fshatin Banjskë, as nuk kam mundur të supozoj se do të vjen te tragjedia, as nuk kam dashur të jem aty e leje më të shkaktoj çfarëdo dhune.”- tha i akuzuari Toliq.

I akuzuari Toliq ka thënë se ditën kur ka ndodhur rasti i sulmit terrorist në Banjskë ka qenë i plagosur rëndë në kufirin e jetës dhe vdekjes.

Toliq tutje ka thënë se i vije keq për gjithçka që ka ndodhur dhe për jetën e humbur si dhe për njerëzit që janë lënduar.

“Unë nga deklarimet e mia kam thënë po e përsërisë prapë, më vjen keq për gjithçka që ka ndodhur, me vjen keq për jetët e humbura, me vjen keq për njerëzit që janë lënduar, por e gjitha kjo nuk është diçka që unë e kam bërë dhe arsyeja për këtë është se nuk jam fajtor për diçka të tillë.”- tha tutje Toliq.

Toliq i ka kërkuar trupit gjykues që të gjykohet në bazë të provave e jo të supozimeve që sipas tij janë të montuara e të rrejshme. I akuzuari në fund ka shtuar se fle i qetë duke e ditur që duart e tij nuk janë të gjakosura dhe se nuk e ka vrarë askënd e as lënduar.

“Unë lutem çdo ditë të Zotit që familjes time të i jep forcë dhe durim dhe i porosit që të jenë krenar me mua, dhe të flenë të qetë se edhe unë flej i qetë, se duart e mija s’janë të gjakosura, unë askënd se kam vrarë, lënduar. Kur ta merrni vendimin mua të më shikoni si njeri dhe të mos me shikoni pjesë e një tregimi, e gjithë kjo që më vihet në barrë nuk jam fajtor.”- tha i akuzuari në fjalën e tij përfundimtare.

Ndërsa avokati Millosh Deleviq që mbron të akuzuarin Toliq, ka thënë se lënda e këtij gjykimi nuk është situata politike por veprimet konkrete të akuzuarve.Sipas avokatit në procedurë penale nuk gjykohet një i akuzuar me pretendime por me prova.

“Ne procedurën penale pretendimi nuk është provë.”- tha avokati i të akuzuarit.

Sipas avokatit, në aktakuzë nuk ceket nëse klienti i tij ka qenë urdhërues i vrasjes, ka gjuajtur apo ka qenë ndihmës ose nxitur këtë vepër penale. Sipas avokatit nuk janë konkretizuar veprimet e të akuzuarit.

Sipas avokatit, nëse gjykata i dënon të akuzuarit në bazë të kësaj që përshkruhet në aktakuzë, terrorizmi qon në kualifikim politik.

Avokati tutje ka shtuar se me asnjë provë që është administruar nuk ka dyshim që klienti i tij të gjykohet për këtë vepër penale për të cilën akuzohet.

Tutje avokati i Toliq ka thënë se, nuk pretendojnë që Toliq është i pafajshëm, por nuk është fajtor për veprat penale që e akuzon prokuroria.

Sipas avokatit, Toliq është fajtor se ka marrë pjesë në kryengritje të armatosur.

Dy nga tre të akuzuarit në këtë rast, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq kishin shfrytëzuar të drejtën e tyre ligjore për të u mbrojtur në heshtje.

Ndryshe nga dy të bashkëakuzuarit e tij, i akuzuari i tretë në këtë rast, Dushan Maksimoviq kishte zgjedhur të deklarohej për veprat të cilat po i akuzon Prokuroria Speciale.

Maksimoviq para Gjykatës i kishte mohuar akuzat e Prokurorisë duke thënë se në ditën kritike nuk kishte qenë në Banjskë.

Sipas PSRK-së, 45 persona duke përfshirë edhe tre të lartcekurit që janë në paraburgim akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.

Kujtojmë se në seancën e datës 16.01.2026 gjykimi për rastin “Banjska” ka filluar rishtazi gjykimi. Kjo pasi kryetari i trupit gjykues në këtë rast ka qenë Arben Hoti, mirëpo me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit, lëndën për gjykim e ka marrë gjyqtari Ngadhnjim Arrni, i cili së fundi është bërë edhe kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Komento: